Connect with us

Shkrime

Rama e meriton urrejtjen

Nga Mero Baze

Ajo që e ka përjetuar më keq fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë në sallën e OKB, nuk ishte Serbia, por Vjosa Osmani. E ka përjetuar personalisht, si një urrejtëse e Edi Ramës, e ka përjetuar si një e ftuar e papërfillur e Asamblesë dhe mbi të gjitha, si një fjalim që ajo nuk di as ta lexojë, dhe jo më ta shkruajë.

Duket qartë se ajo nuk e duron dot Shqipërinë as kur e mbron Kosovën. Dhe për të justifikuar sikletin e saj në sallë, kur vendin e saj e mbronte kryeministri i Shqipërisë, ndërsa ajo i kërkonte foto presidentit të SHBA me Dua Lipën, shpërtheu tek Zëri i Amerikës, duke akuzuar Edi Ramën se “po ja shpëton fytyrën Serbisë”.

Fjalimi i Edi Ramës në OKB, në fakt ishte një taksë e rëndë për kryeministrin e Shqipërisë, i cili në një farë mënyre po i bënte gjyqin drejtësisë ndërkombëtare dhe politikës perëndimore, për qëndrimin ndaj një procesi gjyqësor ndërkombëtar bazuar në një raport të gënjeshtërt. I përforcuar me oratorinë e Edi Ramës, fjalimi thyente standardet etike të një kryeministri të një vendi të vogël si Shqipëria, në raport me Perëndimin.

Por kjo ishte një taksë të cilën e mori përsipër kryeministri i Shqipërisë, për një çështje që ai e gjykon si të drejtë për ta mbrojtur.

Shpërthimi i Vjosa Osmanit kundër tij, është i justifikueshëm. Duhet të hyni nën lëkurën e saj dhe ta justifikoni atë që ka bërë. Përfytyroni presidenten e një vendi të vogël si Kosova, që ftohet në Asamblenë e OKB, dhe aty fjalimi më popullor për vendin e saj mbahet nga kryeministri i Shqipërisë.

Ajo nuk ka lirinë as ta duartrokasë, dhe as të ndjehet e gëzuar në atë sallë, ku mbrohet vendi i saj. Përfytyroni frustrimin e një femre si ajo, që edhe një herë që ka pas shansin të vihej në qendër të vëmendjes, jo për shkak të kaçurrelave, por për shkak të vendit të saj, ajo ishte e egërsuar me atë që mbronte vendin e saj.

Është një torturë e dyfishte, kur atdheun tënd e mbron ai që ti urren. E vetmja terapi në këto raste është të urresh dyfish atë që të mbron atdheun dhe ta akuzosh si armik.

Dhe në të vërtetë armiku më i madh i saj në atë sallë ka qenë vërtet Edi Rama. Ai e bëri të paqenë praninë e saj në OKB, lidhur me Kosovën. Ai e bëri të ndjehet keq, që Shqipëria që ajo urren, po mbronte Kosovën.

Dhe mbi të gjitha, e bëri këtë për të mbrojtur armiqtë e saj politik, për të cilët ajo ndjehet mirë që janë në burg. Më keq se kaq, Vjosa Osmanit nuk i ka bërë kurrë askush. As Serbia, që bën sikur e ka armike.

Advertisement