Connect with us

Politike

Edi Rama ‘godet’ Albin Kurtin në BBC

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për situatën që është krijuar në veri të Kosovës. Ai doli krah BE-së dhe SHBA-së duke kundërshtuar kështu qasjen e Albin Kurtit në këtë situatë.

“Ka një situatë shqetësuese në veri të Kosovës, por nuk do ta theksoj shumë në aspektin e rrezikut. Do them vetëm që kjo situatë është provokuar fillimisht nga braktisja e institucioneve nga serbët, që krijoi vakuum. Dhe së dyti nga këmbëngulja e autoriteteve të Kosovës për t’i futur në zyra boshe këta kryetarë, ku shumica e popullsisë është serbe. Ishte mirë që u mbajtën zgjedhje dhe që u tregua që askush nuk mund t’i mbajë peng proceset demokratike në një vend të pavarur, por nuk ishte ide e mirë që të këmbëngulej hyrja e këtyre kryetarëve në komuna boshe me ndihmën e policisë dhe me ndërhyrjen e KFOR dhe lëndimin e ushtarëve”, tha Rama në një intervistë për mediumin BBC. Rama, beson se meqë marrëveshja është afër i ka acaruar dyja palët.

“Nuk jam këtu për të fajësuar dikë, thjesht po i përgjigjem pyetjeve tuaja. Mendoj se perspektiva më e gjerë është pozitive. Serbia dhe Kosova, falë Kurtit dhe Vuçiq janë shumë pranë mbylljes së marrëveshjes historike. Gjithashtu besoj se fakti që marrëveshja është kaq afër, bazuar në propozimin franko-gjerman me njohjen reciproke, i ka acaruar të dyja palët. Është si një çift në derë të kishës para se të martohen, që fillojnë dyshojnë”. “Mendoj se nuk ka rrugë tjetër në botë që kjo marrëveshje nuk do bëhet. Çështja është kur. Ishim në një samit të Komunitetit Europian me të gjithë liderët në Moldavi dhe të gjithë ata, sidomos presidenti francez dhe kancelari gjerman janë të bindur që Kurti dhe Vuçiç duhet të ulen në një tryezë dhe të mbyllin marrëveshjen”.

“Më vjen keq ta them por mendoj njësoj dhe ky nuk është pozicion servili, por jam i bindur se SHBA dhe BE kanë të drejtë dhe Albini është tërësisht i gabuar sepse ata nuk po përpiqen të kënaqin Serbinë, por ta çojnë Kosovën në tjetër nivel, që do të thotë një shtet që njihet nga të gjithë, që mund të ulet në OKB dhe çdo institucion tjetër”.

“E vërtetë është dhe nuk mohohet, por gjithashtu e vërtetë është se hyrja e kryetarëve në zyra përkundër këshillave të mira të miqve të mirë të Kosovës, pa të cilët Kosova nuk do të ishte kjo që është sot, ishte një hap i tepërt. Thënë kjo, mendoj se Serbia nuk është rrezik për Kosovën që prej vitit 1999, e ka humbur përfundimisht Kosovën që prej vitit 1999. Tani është koha për paqe, për normalizim, për të pranuar për t’i dhënë Serbisë atë që i takon me marrëveshje, pra asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe të drejtën që Kisha Ortodokse Serbe të ketë aktivitetin e saj në Kosovë dhe që Serbia të pranojë se Kosovën nuk e ka më, dhe të pranojë njohjen reciproke”.

Advertisement