Shkrime
Edi Rama, mjeshtër i madh i lajmit botëror
Nga Nikoll Lesi
Edi Rama mund të ketë njëmijë të këqijat e botës, sikurse thotë PD e Saliut, porse në raportet ndërkombëtare për të lartësuar emrin e Shqipërisë, mbetet ekselent. Natyrisht ai punon edhe për emrin e tij.
Edhe Berisha, edhe Nano, edhe Meta janë munduar të shkëlqejnë në marrëdhëniet ndërkombëtare, por nuk e arrijnë karizmën dhe elokuencën e Edi Ramës.
Në dy ditë Tirana u kthye në lajm kryesor në botë, sidomos në Europë.
Me një skenar që vetëm Edi Rama mund ta bëjë, ai mori përkrah Zelenskin dhe e rreshtoi në sheshin para Pallatit të Kongreseve e krah tij priste delegacionet e krerëve të shtetëve.
Shqipëria u kthye në lajm kryesor botëror. Një reklamë e papaguar e Edi Ramës. Nuk është puna se çfarë miratoi Samiti dje, por lajmi dhe e veçanta mbetet se Rama e solli Zelenskin në Tiranë.
Ndërsa sot me datë 29 shkurt, Edi Rama kishte Samitin tjetër, atë mes Bashkimit Europian dhe shtetëve të Ballkanit Perëndimor.
Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesë të Komisionit europian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, janë mbledhur sot në Tiranë për të diskutuar rreth Planit të rritjes që Komisioni europian ka ofruar për rajonin. Bëhet fjalë për 6 miliardë euro të vëna në dispozicion për të sjellë disa prej përfitimeve të anëtarësimit në BE në rajon përpara anëtarësimit, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përshpejtuar konvergjencën shumë të nevojshme socio-ekonomike mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit europian. Qëllimi është që në thelb, t’u mundësohet vendeve të Ballkanit Perëndimor, që të përshpejtojnë reformat dhe investimet për të zmadhuar shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre.
Siç deklaroi dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, zbatimi i Planit të rritjes, “ka mundësi që të kontribuojë për të dyfishuar ekonomitë e BP në 10 vitet e ardhshme”. Nga ana e tij kryeministri shqiptar Edi Rama solli një shembull konkret të përfitimeve të rajonit, ndërsa vuri në dukje se “nëse përmbushim të gjitha kriteret për zonën e përbashkët të pagesave, zonës evropiane të përbashkët të pagesave, do të ulim me gjashtë herë tarifat e qytetarëve tanë që ndodhen jashtë për të dërguar para në shtëpi, duke qenë se do të ulë 6 herë koston e të gjitha transaksioneve të biznesit me vendet e BE-së. Vetëm duke bërë këtë, ne në Ballkanin Perëndimor mund të kursejmë afro gjysmë miliard euro në xhepat e njerëzve”.
Kryeministri Rama kërkoi angazhimin e të gjithë vendeve të rajonit në mënrë që siç u shpreh ai, të mos humbet kjo mundësi. “Me planin e ri të rritjes tashmë në fuqi domosdoshmëria është e qartë, ose do të ndërmarrim hapat e nevojshme për të ecur më pranë BE-së e njëri-tjetrit ose të rrezikojmë të dështojmë për të zënë një vend në tryezën e BE-së e për t’u dhënë ekonomive e qytetarëve tanë një siguri për nevojat e tyre për vitet që vijnë. Ose e bëjmë së bashku ose dështojmë së bashku. BE është tanimë me e gatshme se kurrë të na ndihmojë që të bëhemi pjesë e konstelacionit të saj. Duhet të jemi ne tashmë më të gatshëm se kurrë të ndihmojmë veten për të mos e humbur këtë dritare të re të hapur mundësie”, u shpreh zoti Rama.
Në një rajon ku konfliktet dypalëshe kanë qenë ato që kanë diktuar më së shumti të ardhmen, kryeministri shqiptar drejtoi thirrjen që “t’i lëmë mënjanë këto dallime për një punë bashkëpunuese e jetike që kemi përpara me synim për të transformuar rajonin e vendet tona. Sigurisht çështjet dypalëshe mbeten por duhen zgjidhur përmes bashkëpunimit e dialogut dypalësh dhe jo të ndërhyjnë në këtë ushtrim të ri shumëpalësh”.
Pra në dy ditë rrjesht Tirana ishte lajmi dhe qendra e politikës europiane.
Dita e djeshme ishte reklamë për Shqipërinë, ndërsa sot Edi Rama shfrytëzoi çdo mundësi që Bashkimi Europian të financojë projektet për vendin tonë dhe natyrisht edhe Rajonin.
Ky është Edi Rama, mjeshtër i madh i lajmit botëror.