Connect with us

Shkrime

Editorial NTV.AL/ Patatja e nxehtë e Rusisë

Kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiç, ka vlerësuar se ambasadori rus në Serbi, Aleksandër Bocan-Kharchenko, duke deklaruar se qëndrimi i Beogradit do të jetë i rëndësishëm për Rusinë kur bëhet fjalë për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, faktikisht i ka lëshuar në dorë Serbisë “pataten e nxehtë”.

Janjiç u shpreh se ai mesazh është disi ndryshe nga mesazhet e fundit të ministrit të jashtëm rus Sergej Lavrov dhe presidentit Vladimir Putin para luftës në Ukrainë, kur thanë se përkrahin atë që po bën Beogradi, por që kjo nuk ka të bëjë me pozicionin e Kosovës në OKB.

“Ambasadori rus të gjitha përgjegjësinë për vendimet ia transferoi Vuçiçit dhe qeverisë aktuale, dhe kjo do të thotë se ata duhet të rishqyrtojnë se cili është interesi rus tani” –  tha Janjiç.

Siç transmetoi “N1” në intervistën e fundit, Bocan-Kharchenko tha se “statusi përfundimtar i Kosovës do të përcaktohet në kushte të tjera gjeopolitike pas përfundimit të konfliktit me Perëndimin në territorin e Ukrainës” dhe mendon se nuk ka as më të voglën gjasë që Serbia ta pranojë planin franko-gjerman. Ai gjithashtu theksoi se roli i Rusisë ende është shumë i fuqishëm, pothuajse i barabartë me QUINT-in.

Për Janjiç, argumentet e ambasadorit rus janë në favor të gjithë atyre në Serbi që mendojnë se plani franko-gjerman duhet të refuzohet, duke vlerësuar se Rusia kurrë nuk i ka besuar plotësisht Vuçiçit dhe se i ka besuar më shumë Vojisllav Koshtunicës dhe Boris Tadiçit.

Ndërkohë ish-zëvendëskryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Serbisë, Vesna Markoviç, tha se Bocan-Kharchenko dërgoi një mesazh të qartë se Rusia do të përdorë çështjet e hapura në Ballkan për të arritur qëllimet e saj, që lidhen me përfundimin e luftës në Ukrainë.

Sipas saj, me deklaratën e fundit, ambasadori rus ishte pakrahasueshëm më i drejtpërdrejtë, duke e bërë të qartë se cilat janë interesat reale të Rusisë në Ballkan. Ajo beson se Kharchenko i dërgoi mesazh jo vetëm Beogradit, por duke përdorur zhvillimin aktual të ngjarjeve që lidhen me planin franko-gjerman, mesazhi ishte edhe për BE dhe SHBA, se Rusia është e gatshme për nmarrëveshjeje, pra një lloj tregtie politiko-strategjike me vendet perëndimore.

Ambasadori Bocan-Kharchenko u deklarua se çështja e zgjidhjes së statusit të Kosovës do të bëhet së bashku me konfliktin ukrainas. Ai tha gjithashtu se aktualisht Rusia nuk e njeh Kosovën dhe se në rrethanat e tilla nuk mund të zgjidhet “çështja e saj”, duke shtuar se kushtet e reja gjeopolitike do të jenë rezultat i “të gjitha ngjarjeve aktuale” në skenën ndërkombëtare.

I pyetur për deklaratën e Vuçiç që tha se nuk përjashton mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Federatës Ruse në fjalimin e tij të fundit publik, ambasadori deklaroi se “qeveria e Serbisë dhe Vuçiç kanë një qëndrim të prerë se sanksionet nuk duhet të vendosen ndaj Rusisë”.

“Shumica absolute e popullit serb është kundër vendosjes së sanksioneve dhe dihet se presidenti Vuçiç para së gjithash merr parasysh mendimin e popullit”, tha ai.

Ndaj kësaj interviste ka reaguar edhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiç, e cila beson se ambasadori rus i ka dhënë mesazh të qartë presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

“Mesazhet e ambasadorit rus në Beograd janë më shumë një paralajmërim për Vuçiçin, se Rusia do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në OKB nëse Serbia i vendos sanksione…” – ka shkruar Kandiç.

 

Advertisement