Aktualitet
Efektivi tentoi të vetëvritej/ Gazetarja: Nëse nuk ka pasur presion përse tentoi të vetëvritej?
Gazetarja Esiona Konomi ka reaguar në lidhje me ngjarjen që ndodhi pak ditë më parë në Tiranë ku një efektiv policie ra nga lartësia e një pallati dhe mbeti i plagosur.
Konomi shkruan se pavarësisht se AMP ka njoftuar se nuk ka pasur asnjë presion psikologjik të ushtruar ndaj efektivit, sërish policia nuk ka një pistë hetimi, përse ai tentoi të vetëvritej. Më tej ajo ka reaguar edhe në lidhje me postimin e Ministrit Hoxha, i cili e cilësoi ngjarjen si një ‘furtunë në gotë’. Lidhur me këtë Konomi shkruan se çështja ka nevojë për transparencë, jo ironi.
Postimi i plotë:
Shumë prej nesh, përfshi edhe mua, nuk e dinë nëse ka ndonjë lidhje mes faktit që një polic, i cili ndaloi djalin e njeriut më të pasur në Shqipëri, pak ditë më pas, u hodh nga lartësia.
Nuk jam nga ata që do të shkoj në protestë, sepse nuk jam e qartë se çfarë ka ndodhur.
Po ky ministri im i brendshëm, teksa harxhon kaq shumë energji për ironi dhe kunja politike, a mund të ushtrojë përgjegjësitë e tij dhe të bëjë transparencë mbi atë çfarë i ndodhi policit?
Çfarë piste ka policia për kolegun? Pse tentoi të vetëvritej?
A ka pasur ndonjë proces “persekutues” nga shefat e tij verbalisht apo proceduralisht për ngjarjen?
Nëse kjo nuk lidhej me shoqërimin e djalit të biznesmenit, me çfarë lidhet?
Nëse ajo që pretendojnë ata që kanë thirrur protestën, është “gënjeshtër”, cila është e vërteta e ministrit/policisë/shtetit?
Transparenca do ta ndihmonte opinionin publik, jo ironitë e shpifura dhe reagimet pa asnjë kreativitet.