Kosova
Eksperti amerikan tregon arsyet për lëvizjen e fundit të Kurtit dhe jep paralajmërimin e fortë
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është shprehur i gatshëm për shkuarje në zgjedhje të reja parlamentare. Ai ka zhvilluar takime me përfaqësues të partive opozitare, duke thënë se është i interesuar që të diskutojë me subjektet politike për datën më të përshtatshme për zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë.
I pyetur se pse kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, po i përmend zgjedhjet parlamentare, në përfundim të mandatit të tij, profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka dhënë dy arsye.
Ai i ka lidhur zgjedhjet e reja me çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Sugjerimi i Kurtit për të shkuar në zgjedhje të parakohshme në thelb është krijuar për të arritur dy gjëra. Njëra është që i gjithë diskutimi i Asociacionit të Komunave Serbe të shtyhet për qeverinë e ardhshme. I dyti, siç deklaruan disa opozitarë, Kurti sugjeroi zgjedhjet e parakohshme, sepse dëshiron të shmangë diskutimin e largimit të Kosovës nga agjenda e komitetit të ministrave në Këshillin e Evropës”, ka deklaruar eksperti amerikan
Por, sipas Ben-Meir, Qeveria e re nuk do të mund të shmangë formimin e Asociacionit.
“Së fundi, përpjekja e Kurtit për të shmangur të pashmangshmen – krijimin eventual të Asociacionit të Komunave Serbe – nuk ka funksionuar deri më tani, dhe mund të mos funksionojë edhe nëse do të ketë zgjedhje të reja, pavarësisht nëse ai apo ndonjë nga partitë opozitare formojnë qeverinë e ardhshme”, ka nënvizuar profesori.
Ai ka shtuar se “nga këndvështrimi i BE-së, çështja e Asociacionit është thelbësore për t’i dhënë fund bllokimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Sipas tij, pa zhbllokim të raporteve mes të dyja vendeve, “nuk do të ketë përparim thelbësor në procesin e integrimit të Serbisë dhe Kosovës”.