Rajon
Ekstremistët protestojnë në Beograd kundër marrëveshjes Kosovë-Serbi
Me sloganin “Jo kapitullimit” dhe thirrjet “Kosova është Serbi”, në Beograd u mbajt protesta kundër propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Një grup personash të maskuar, disa prej të cilëve kishin të veshura rroba me simbole të formacionit paramilitar rus, Wagner, mbajtën një mbishkrim ku thuhej: “Populli dhe kisha në mbrojtje të shtetit, kundër tradhtisë, kjo është zgjidhja e vetme”.
Protesta u mbajt një ditë para se kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Disa mijëra persona, me ftesë të partive parlamentare të krahut të djathtë, u mblodhën para Kishës Shën Sava, prej ku vazhduan marshin drejt Presidencës së Serbisë.
Protestuesit brohoritën slogane të ndryshme sikurse “Ne nuk do ta japim Kosovën, “Kosova është Serbi” teksa folësit iu adresuan turmës para monumentit të Carit rus Nikolla II, që gjendet përballë ndërtesës së Presidencës serbe.
Protestuesit po ashtu brohoritën “Serbia, Rusia, nuk na duhet blloku evropian” dhe “Serbia, Rusia”.