Aktualitet
Ekzekutimi i Nikulajt/ Hetimet përqëndrohen në katër shtete
Katër janë shtetet ku janë përqëndruar hetuesit që kanë në dorë vrasjen e Ardian Nikulajt. Mediat raportojnë se autoritetet shqiptare po mbajnë kontakte të vazhdueshme me policinë në Greqi, Portugali, Itali dhe Britaninë e Madhe. Qëllimi është gjetja e portugezit që akuzohet se ka luajtur rolin e kezekutorit, Ruben Saraiva dhe britanikut që akuzohet se ka qenë në rolin e informatorit, Harry Simson.
Deri më tani raportohet se ekzekutori portugez është larguar në Greqi pas vrasjes dhe në rrugë legale nuk ka dalë ende nga shteti në fjalë. Nga Shqipëria raportohet të jetë larguar nëpërmjet Doganës së Kapshticës.
Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman të akuzuar si bashkëpunëtorë e informatorë në lidhje me vrasjen janë vënë në pranga në Londër dhe brenda datës 5 maj, Shqipëria duhet të përkthejë në anglisht provat dhe t’ia dërgojë Britanisë së Madhe për të bërë të mundur ekstradimin e tyre. Ndërsa në kërkim vijojnë Ruben Saraiva dhe Harry Simson.
Vrasja u zbardh vetëm një javë pasi ndodhi. Edmond Haxhia akuzohet se solli në Tiranë 4 britanikët e portugezin për të mbyllur hesapet e gjakmarrjes që kishte të hapura me fisin Nikulja, që nga viti 1997. Haxhia është kushëri me vëllezërit Lestakaj që jetojnë në Londër dhe akuzonin Nikulajn se u kishte vrarë xhaxhain dhe nipin.