Aktualitet
Ekzekutohet biznesmeni në Greqi, vrasësit i djegin trupin
Një ekzekutim i stilit mafioz ndaj një biznesmeni ka tronditur Greqinë mbrëmjen e sotme. Biznesmeni Kristos Gialia u ekzekutua me kallashnikov teksa ishte duke lëvizur me makinë rreth 200 metra larg shtëpisë së tij në qytezën Mandra pranë Athinës.
Sipas mediave greke, ekzekutorët e kanë ndjekur për ditë me radhë për të kuptuar itinerarin e lëvizjeve të tij. Dhe sot, pak metra larg shtëpisë së tij, biznesmeni grek Kristos Gialia u kap në pritë nga vrasësit të cilët e ekzekutuan me breshëri kallashnikovi brenda makinës së tij.
Më pas autorët i vunë flakën automjetit të viktimës bashkë me trupin e tij brenda duke e djegur tërësisht.
Policia greke gjeti trupin e djegur të viktimës brenda mjetit, si dhe një kallashnikov. Sipas hetuesve, arma besohet të jetë e autorëve të cilët e hodhën brenda makinës së viktimës pasi e vranë dhe më pas i vunë zjarrin.
Disa metra larg vendit të krimit, policia greke gjeti edhe një tjetër makinë të djegur që besohet të jetë e vrasësve. Prej këtej besohet se u larguan me motor.
Kristos Gialia ishte biznesmes në fushën e tregtisë së mishit, por në të kaluarën ka qenë i përfshirë edhe në administrimin e disa skuadrave të futbollit në Greqi.
Në vitin 2018, ish-gruaja e bizmesmenit mbeti e vrarë gjatë një grabitje.
/tvklan.al