Connect with us

Bota

Ekzekutohet me 3 plumba kandidati për President në Ekuador

Kandidati për President në Ekuador, Fernando Villavicencio, është qëlluar për vdekje gjatë një fushate. CNN raporton se Villavicencio u qëllua dhe u vra teksa po largohej nga një tubim i fushatës në një shkollë në veri të kryeqytetit Quito, 10 ditë përpara se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale të mbahej më 20 gusht.

Nëntë persona kanë pësuar lëndime, përfshirë një kandidat për asamble dhe dy policë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur teksa Villavicencio ishte duke u larguar nga mitingu i fushatës drejt një automjeti të rrethuar nga disa oficerë policie dhe një turmë shikuesish. Në momentin që është ulur në sediljen e pasme të automjetit, autori i doli përpara dhe e qëlloi në kokë. Janë dëgjuar të paktën 12 të shtëna.

Presidenti i vendit, Guillermo Lasso tha se “krimi nuk do të mbetet i pandëshkuar”. Villavicencio, i cili ishte i martuar dhe kishte pesë fëmijë, ishte një nga tetë kandidatët në raundin e parë të zgjedhjeve.

Ngjarja vjen në një periudhë, ku krimi dhe prania e kartelave të drogës në Ekuador vjen gjithnjë e më shumë në rritje gjatë viteve të fundit, duke e kthyer në një ndër retorikat kryesore të fushatave presidenciale të këtij viti por edhe të politikës në tërësi.  Muajin e kaluar, Lasso shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe shtetrrethim natën në tre provinca pas një numri vrasjesh të lidhura me krimin e organizuar.

Advertisement