Kronike
Ekzekutoi Briken Sanajn, NTV siguron foton e vrasësit
Vladimir (Valmir) Kola, 39 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Shëngjin, Lezhë, është personi i shpallur në kërkim për vrasjen e Briken Sanajt, ngjarje e ndodhur më 30 tetor tek Kodra e Diellit në Tiranë. Kola është shpallur në kërkim dhe akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;
Personi i dytë që po kërkohet nga autoritetet shqiptare për të njëjtin krim është Gjelosh Krasniqi lindur dhe banues në Peje, i akuzuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”; I treti është Kened Antoni 25 vjeç, lindur dhe banues në Pejë, i dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Sipas njoftimit të policisë, Antoni i ka shitur automjetin Krasniqit më datë 24.10.2022, dhe po në këtë datë, të dy e kanë future makinën në territorin e Shqipërisë dhe ia kanë vënë atë në dispozicion Kolës, i cili e ka përdorur për realizimin e vrasjes së Sanajt. Pas ngjarjes, autori i dyshuar e ka djegur automjetin, në rrugën dytësore Tiranë – Durrës, së bashku me armën e krimit.
Në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar 4 automjete të përdorura nga autori i dyshuar, para dhe pas ngjarjes, 10 aparate celulare, si dhe pamje filmike që i shërbejnë hetimit.
Briken (Skerdilajd) Sanaj u qëllua më 30 tetor. Fillimisht është raportuar se 39-vjeçarit i është marrë jeta si hakmarrje për plagosjen e kryer 10 vite më parë nga vëllai i tij, Antonio alias Renato Sanaj, e gjitha pas një sherri të nisur për një vajzë. Në atë kohë, Renato qëlloi dhe plagosi Gentian Kolën. Dy familjet në Lezhë u futën në gjak dhe tentativat për pajtim ishin të pasuksesshme. Për të shmangur atë që ndodhi, vëllezërit Sanaj kishin ikur nga Shqipëria dhe kishin nisur një jetë tjetër në Itali, por duket se nuk i kanë ikur dot hasmit.