Pinknews
Elhaida reagon për lidhjen me balerinin: Ndjeva shkëndija
Pasi pranuan romancën e tyre në publik, Elhaida dhe Lediani, përveçse u duartrokitën nga shumë njerëz për emocionet që përcollën, patën gjithashtu edhe shumë kritika në rrjet.
Njerëzit paragjykuan faktin që pak kohë më parë balerini ishte në një marrëdhënie me Ditjona Borën, prej rreth 10 vitesh.
Përmes një postimi në Instagram, Elhaida ka vendosur t’u përgjigjet të gjitha kritikave dhe komenteve negative në rrjet.
“E di që shumë prej jush po prisnit këngën e re, por më përpara: Doja të flisja hapur dhe të trajtoja një situatë e cila në ditët e fundit ka shkaktuar shumë diskutime e ndoshta dhe lënduar disa prej jush.
E kuptoj që si personazh publik, veprimet dhe zgjedhjet e mia kanë peshë dhe ndikim tek ata që më ndjekin. Jam gjithashtu shumë e vetëdijshme që shumë prej jush më shohin si model frymëzimi dhe e kuptoj përgjegjësinë që vjen me këtë rol.
Si asnjëherë tjetër në karrierën time, përtej bashkëpunimit profesional, përtej punës, ndjeva emocione dhe shkëndija të sinqerta, të cilat nuk i përmbajta dot. Si artiste besoj shumë tek forca që rrezaton dashuria për të frymëzuar, reflektuar pozitivitet e për t’i bërë njerëzit më të mirë, ndaj kjo shpjegon edhe arsyen pse vendosëm t’i ndajmë me publikun ndjenjat që kemi për njëri-tjetrin.
Megjithatë, nga reagimet tuaja kuptova që veprimet tona mund të jenë dukur të nxituara pasi kanë shkaktuar indinjatë duke konsideruar disa rrethana, të cilat ne i kemi sqaruar përpara se kjo marrëdhënie të niste.
Më besoni që unë nuk kam thyer asnjë kod, qoftë dhe moral, por nuk jam unë personi që duhet t’i sqarojë mirë për publikun. E ndjej që mund të kem zhgënjyer disa prej jush (edhe pse pa ditur historinë e vërtetë) dhe për këtë jam mërzitur sepse e di që dashuria dhe marrëdhëniet shpesh mund të jenë komplekse.
Prandaj në finale dua gjithsesi të kërkoj ndjesë për çdo shqetësim që mund të kem shkaktuar. Jam e përkushtuar të vazhdoj të punoj fort për të merituar, siç gjithmonë kam bërë, besimin dhe mbështetjen tuaj për të ecur përpara. Sinqerisht e juaja Elhaida”, ka shkruar ajo.