Bota
Emergjencë në disa shtete, stuhia e acarit ngrin Amerikën, raportohen viktima
Të paktën pesë persona kanë humbur jetën për shkak të stuhisë së acarit që po ngrin gjysmën e Shteteve të Bashkuara. Kjo ka shkaktuar kaos në qarkullimin rrugor dhe ajror, mbyllje të shkollave dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Të paktën 7 shtete amerikane kanë shpallur gjendjen e emergjencës, duke nisur me Merilend, Kansas, Virxhinia, Virxhinia Perëndimore, Mizuri, Kentaki dhe Arkansas.
Më shumë se 2300 fluturime janë anuluar, teksa raportohen për rreth 9000 fluturime të tjera që janë shtyrë nga kushtet ekstreme të motit që erdhën si pasojë e vorbullës së akullt që zakonisht qarkullojnë në Polin e Veriut.
190 mijë njerëz kanë mbetur pa energji elektrike. Reshjet e dëborës dhe ngricat do të vazhdojnë në pjesën veriore të SHBA-ve dhe për disa javë të tjera, sipas asaj që parashikojnë meteorologët. Trashësia e dëborës shkon mbi 30 centimetra deri më tani.