Politike
Emigrantët e Greqisë nuk votojnë/ Balla shkon në Selanik: Mbi 25,000 zarfa s’janë nisur për Shqipëri

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla ka përcjellë një mesazh për demokratët nga Selaniku. Në një deklaratë nga një seli e DHL-së, Balla u kërkoi emigrantëve shqiptarë që të shkonin dhe të merrnin zarfin e dërguar në shtetin fqinjë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në zyrat e postës.
“Ka ende prej jush që nuk e kanë tërhequr ende fletën e votimit. Janë rreth 8,000, siç njofton Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që duhet të paraqiten menjëherë pranë zyrave të DHL këtu në Selanik, Athinë apo dhe në ishuj, te nënkontraktorët e DHL-së për ta tërhequr,”-tha ndër të tjera Balla.
Po ashtu, sipas Ballës, edhe më shqetësues është numri i shqiptarëve që e kanë marrë zarfin, por nuk e kanë nisur për në Shqipëri. Kjo shifër është shumë herë më e madhe, gati 25 mijë.
“Është një numër i madh, diku te 25,000 prej jush, që e kanë tërhequr zarfin me fletën e votimit, por nuk e kanë kthyer ende. Prandaj është shumë e rëndësishme që ta kryeni këtë veprim brenda orëve të mbetura, deri ditën e shtunë për Selanikun, Patrën, Athinën, qytetet e mëdha dhe deri të premten për qytetet më të vogla apo zonat rurale,”-u shpreh Balla.
Të gjithë zarfet në vende të tjera të botës, përveç Greqisë, që nuk janë tërhequr apo shpërndarë deri të enjten e 8 majit, do të kthehen në Shqipëri. Ata që e kanë marrë zarfin, kanë kohë deri të shtunën në darkë për të nisur zarfin në Shqipëri. Gjithsej nga 245,935 zarfa të dërguar jashtë vendit tonë, janë kthyer vetëm pak më shumë se 155 mijë.

