Connect with us

Kosova

Emisarët perëndimorë me ultimatum për Kurtin e Vuçiçin për zbatimin e marrëveshjes

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Agon Maliqi, thotë se nga ajo që është kuptuar deri më tani, në planin e pesë emisarëve perëndimorë që qëndruan në Kosovë e Serbi përfshihet çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe hapat për zbatimin e Marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Me gjasë, emisarët perëndimorë kanë ardhur me një ultimatum mbi sekuencimin dhe hapat se si do të shkohet deri te zbatimi i marrëveshjeve. Propozimi, me gjasë, nuk është i hapur për komentet e palëve, por më shumë është si dokument i formës ‘pranoje ose lëre’. Kjo duket qartë, për shkak se afatet kohore për fillimin e zbatimit të marrëveshjeve, po harxhohen me shpejtësi

Sipas Agon Maliqit, fakti që ekzistojnë pritje që liderët e Kosovës dhe Serbisë të takohen sa më shpejt, tregon se vendet e QUINT-it, SHBA-ja, Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe Italia, kërkojnë përgjigje dhe hapa të shpejtë nga të dyja palët. Po sipas analistit politik, kërkesat e ndërkombëtarëve me siguri që nuk kanë lënë anash as sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

“Në lidhje me zhvillimet në veri, gjithsesi duhet të ketë dhe besoj se do të ketë kërkesa nga emisarët perëndimorë, qoftë në formën e kushtëzimeve për Serbinë në rrugën e saj europiane, apo edhe ndonjë propozim konkret se çfarë pritet prej Serbisë në kuptimin e marrjes së masave ndaj grupit të armatosur. Kjo besoj se është shumë e nevojshme që të krijohet një lloj fryme e parandalimit të çfarëdo përpjekjeje të ardhshme për destabilizim”

 Pranimi i kërkesave të emisarëve perëndimorë, sipas analistit Agon Maliqi, do të varet nga pasojat që emisarët do t’ua komunikojnë palëve, në rast se nuk i pranojnë ato. Dhe në kohën kur debati publik është orientuar mbi nevojën e sanksionimit të Serbisë nga ana e Bashkimit Evropian pas sulmit terrorist në Banjskë, shoqëruar me hezitimin e Unionit, sipas Maliqit, BE-ja me këtë qasje ndaj Beogradi zyrtar po garanton përshkallëzime të reja në terren.

“Kanë kaluar më shumë se tre javë që kur një kryengritje e armatosur nga një strukturë e sponsorizuar nga Serbia u zbulua dhe u ndalua në Kosovë nga policia dhe NATO. Zero masa ndëshkuese të marra nga BE-ja, vetëm fjalë inkurajimi. Me këtë nivel parandalimi garantohen përshkallëzime të reja”

Analisti Agon Maliqi gjithashtu më herët ka reaguar edhe ndaj deklaratës së presidentit francez, Emmanuel Macron, rreth çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, teksa u shpreh se Franca nuk ka fuqi që ta revokojë vendimin e BE’së. Sipas tij, gjëja e vetme që Parisi mund ta bëjë është të detyrojë një rishikim të tyre.

“Franca nuk ka fuqi të pezullojë vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën. Mund të përpiqet të detyrojë një rishikim, por do të rezistohet. Macron e di këtë, kështu që me shumë gjasa ky është qëndrim dhe presion për të ringjallur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Gjë që me shumë gjasa do të dështojë.”

Advertisement