Aktualitet
EMRAT/ Mbanin në banesë armë zjarri dhe fishekë, arrestohen babë e bir

Babë e bir janë arrestuar ditën e sotme në Vlorë për armëmbajtje pa leje. Mësohet se në pranga kanë rënë babë e bir Bledar e Kreshnik Kristo. Kjo pasi në banesën e tyre është gjetur dhe sekuestruar automatiku me fishek në fole gati për qitje, 200 gëzhoja dhe 1 thikë.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë/Finalizohet me sukses nga Komisariati i Policisë Vlorë, operacioni policor i koduar “Duo”, goditet një rast armëmbajtjeje pa leje. Arrestohen në flagrancë babë e bir që posedonin armë zjarri dhe municion në banesë. Sekuestrohen 1 armë zjarri automatike me fishek në fole gati për qitje, rreth 200 gëzhoja municioni dhe 1 armë e ftohtë. Në kuadër të punës së pandërprerë për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, si dhe për të parandaluar ngjarje të rënda kriminale që mund të ndodhnin nga përdorimi i tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Duo”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit: • B. K., 49 vjeç, me precedent penal të mëparshëm për armëmbajtje pa leje; * K. K., 21 vjeç, djali i tij, banues të dy në fshatin Mifol.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre, në fshatin Mifol, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatike me fishek në fole gati për qitje, 1 krehër me municion, rreth 200 gëzhoja dhe 1 armë të ftohtë (thikë). Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

