Rajon
EMRAT/ Rrihnin klientët e lokaleve dhe tifozët, një shqiptar në pranga dhe një tjetër në kërkim
Policia greke ka vënë në pranga anëtarët e një grupi kriminal, që kryente sulme ndaj klientëve të klubeve të natës në qendër të Athinës dhe ndaj tifozëve gjatë ndeshjeve të futbollit brenda stadiumeve në rajone të ndryshme të kryeqytetit grek.
Gjatë operacionit janë arrestuar 8 persona, mes të cilëve një shtetas shqiptar, ndërsa një shqiptar tjetër është shpallur në kërkim.
Ndaj tyre është ngritur akuza e dëmtimit të rrezikshëm dhe të rëndë trupor të kryer në kuadër të grupit së organizuar, shkelje të ligjeve për armët, drogën, fishekzjarrët dhe për sportin amator e profesional, prishje e qetësisë publike etj.
Siç doli nga hetimi, anëtarët e grupit të paktën që prej korrikut 2022 kryenin rrahje klientësh në lokalet e natës në qendër të Athinës, ndërsa ishin përfshirë edhe në incidente me tifozë brenda fushave të lojës gjatë ndeshjeve të futbollit.
U konstatua se ata ishin përfshirë në 2 sulme ndaj klientëve të lokaleve të natës në qendër të Athinës, gjatë muajve mars dhe shtator të vitit të kaluar, të cilat rezultuan në plagosjen e rëndë të klientëve, mes të cilëve edhe dy policë si dhe pjesëmarrja e anëtarëve të grupit në 2 përleshje të zhvilluara mes tifozëve gjatë ndeshjeve të futbollit dhe në shkurt 2024 në fushat e lojës në zonat e Athinës.
Në prangat e policisë mes të tjerëve, ra edhe shqiptari Enderik Skënderaj, 35 vjeç, i arrestuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe drogë. Emri i tij është lakuar më parë edhe si i përfshirë në grabitjen e biznesmenit shqiptar Tonin Preka në Mykonos, ku pasi u dhunua, i’u grabitën 40 mijë euro. Skënderaj ishte pjesë e një grupi prej 5 shqiptarësh, ku mes tyre ishte edhe Alfons Ndoci, një shqiptar i rrezikshëm me precedentë për vrasje dhe arratisje nga burgu.
Policia greke ndërkohë ka shpallur në kërkim shtetasi Fatjon Hysaj, 31 vjeç, i arrestuar më parë për “vjedhje”, “rrëmbim të miturish” dhe “trafikim qeniesh njerëzorë”. Sipas “Zougla”, Hysaj mund të ndodhet në Shqipëri, ndërsa njihet për lidhje të tij me biznesmenin Christos Gialias, i ekzekutuar pak ditë më parë në Mandra të Athinës.
Gjatë operacionit janë sekuestruar sende të forta, armë, drogë dhe materiale të tjera të përdorura nga grupi kriminal.