Kronike
EMRAT/ Transportonin emigrantë të paligjshëm, 3 persona në pranga
Tre persona janë arrestuar ditën e sotme në Gjirokastër për transport të emigrantëve të paligjshëm. Mësohet se në pranga kanë rënë Ardit Laushka, Gilberto Mako dhe Besmir Papa. Këta persona u kapën duke transportuar 8 emigrantë të paligjshëm, kundrejt pagesës. Po ashtu u sekuestruan 2 automjete, 500 euro dhe 25000 lekë shqiptare.
Njoftimi i Policisë:
DVKM Gjirokastër Finalizohet operacioni policor i koduar “Destinacioni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim ilegal të kufirit. Transportonin në mënyrë të organizuar, me automjet dhe duke mbikëqyrur rrugën, 8 emigrantë, arrestohen në flagrancë 3 shtetas. Sekuestrohen 2 automjetet, 5 celularë dhe një shumë parash (në euro dhe në lekë) e përfituar nga kjo veprimtari kriminale. Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Tepelenë, si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të transportimit të disa emigrantëve, në mënyrë të organizuar, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Destinacionin”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit: A. L., 28 vjeç, G. M., 34 vjeç dhe B. P., 38 vjeç, të tre banues në Tiranë.
28-vjeçari u kap në flagrancë, në aksin rrugor “Tepelenë-Memaliaj”, teksa transportonte me automjet, 8 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, ndërsa 2 shtetasit e tjerë u kapën teksa lëviznin me një automjet tjetër dhe mbikëqyrnin rrugën, për të shmangur patrullat e Policisë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjetet, 500 euro dhe 25000 lekë të dyshuar të përfituar nga kjo veprimtari kriminale, si dhe 5 celularë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.