Kronike
EMRI/ Plagosi prindërit e ish-gruas, arrestohet në SHBA shqiptari
Ekstradohet nga SHBA 40-vjeçari i akuzuar për plagosjen e prindërve të ish-bashkëshortes, ngjarje e ndodhur në mars 2017 në Ballsh.
Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tirana dhe Interpol Washington, USA, në koordinim nga DSS në ambasadën e SHBA-së në Tiranë, u bë e mundur kapja në SHBA dhe ekstradimi drejt Shqipërisë, i një shtetasi të dënuar me 25 vjet burgim.
Në vijim të bashkëpunimit me homologët, nga specialistët e Interpol Tirana u bë ekstradimi nga New York, USA, drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Lulëzim Sinaj, 40 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, në vitin 2021, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Më datë 12.03.2017, në Ballsh, shtetasi Lulëzim Sinaj ka plagosur rëndë, me armë zjarri, shtetasit Edmond Xhaferraj dhe Ludmidha Xhaferraj (prindërit e ish-bashkëshortes së tij).
Si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tirana, Interpol Washington dhe DSS në ambasadën e SHBA-së në Tiranë, u bë i mundur arrestimi i këtij shtetasi, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.
Falënderojmë ambasadën e SHBA-së në Tiranë, për koordinimin dhe ndërlidhjen mes Interpol Tirana dhe agjencive ligjzbatuese përgjegjëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
SI NDODHI NGJARJA
Më datë 12 mars 2017, rreth orës 20:00, në lagjen “28 nëntori” të qytetit të Ballshit, Lulëzim Sinaj, akuzohet se ka trokitur në derën e ish-vjehrrit të tij. Nga deklarimet e të dëmtuarve është mësuar se kur Edmond Xhaferraj kishte hapur derën, ishte përballur me një person veshur me të zeza, me fytyrë të mbuluar, i cili mbante në dorë një armë të mbuluar me qeskë, të cilës i shihej vetëm tyta.
Ai i kishte thënë të dëmtuarit të futej brenda dhe të ulej. Sipas deklaruesve, personi që mbante pistoletën në dorë kishte sytë dhe zërin e Lulëzim Sinajt, ish-bashkëshortit të vajzës së tyre. Të plagosurit kanë deklaruar para hetuesve se personi i armatosur që kishte hyrë në banesën e tyre kishte hequr për një moment kapuçin e më pas e kishte rivënë duke u thënë se do t’i vriste të gjithë.
Më pas, Ludmidha i është afruar agresorit dhe ka tentuar ta nxjerrë nga banesa. Sinaj kishte bërë disa hapa prapa dhe kur ndodheshin në shkallët e pallatit, Edmond Xhaferaj i ka thënë Lulëzimit se çfarë kishte ndërmend të bënte, ta realizonte mbi të. Në këtë moment ai ka tërhequr këmbëzën, por nuk i ka shkrepur. Më pas ai ka shtënë dy herë të tjera ndaj Ludmidhës dhe tre herë ndaj Edmondit duke i plagosur të dy rëndë. Pas kësaj, autori ka ikur me shpejtësi duke humbur çdo gjurmë.
Ka qenë një banor i qytetit të Ballshit ai që ka dorëzuar në polici pistoletën me silenciator, një dorezë plastike, dy çorape të zeza, dy papuçe ngjyrë blu, një leckë e disa qese që janë gjetur nga një fëmijë në një degë peme poshtë pallatit.
Lulëzim Sinaj ishte martuar në Boston të SHBA-së me vajzën e tyre, Negisa Xheferrajn. Por, pas mosmarrëveshjeve mes tyre, ata janë ndarë 2 vite pa ngjarjes. Vajza e të dëmtuarve e kishte denoncuar Lulëzimin për keqtrajtim dhe ndaj tij kishte nisur një proces në SHBA. Ndërkohë, sipas deklaruesve, i akuzuari Lulëzim Sinaj ishte lidhur me një vajzë nga Memaliaj.
Nga hetimet rezultoi se Lulëzim Sinaj kishte mbërritur në Shqipëri më datë 7 Mars, ka kryer krimin e tij pesë ditë më vonë dhe është rikthyer sërish drejt Amerikës, ku më pas është arrestuar dhe po vuan dënimin për dhunën e ushtruar ndaj ish-bashkëshortes së tij. Për udhëtimin e Lulëzimit drejt Shqipërisë ka qenë në dijeni edhe ish-bashkëshortja, Negisa, e cila i ka porositur prindërit që të mos e prisnin në shtëpi. Por, pavarësisht kësaj, Lulëzimi ka realizuar planin e tij të hakmarrjes, që fatmirësisht nuk mori dot jetën e dy prindërve të ish-bashkëshortes së tij.