Kronike
EMRI/ Shpërndante kokainë në Tiranë, arrestohet 35-vjeçari

Një 35-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës për shpërndarje të lëndëve narkotike në kryeqytet dhe një tjetër është proceduar penalisht për moskallëzim krimi.
Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë zhvilloi operacionin antidrogë të koduar “Next”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Erdi Shima, 35 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se shtetasi i mësipërm merrej me shpërndarjen e lëndës narkotike kokainë, në sasi, në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës.
Në bazë të informacioneve të grumbulluara, falë veprimeve të shpejta dhe operacionale është bërë ndalimi i automjetit me drejtues Erdi Shima dhe pasagjer D. M, në rrugën “Sami Frashëri”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin udhëtonin të dy këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën një qese me lëndë narkotike Kokainë me peshë 480 gram, e cila u sekuestruar në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

