Kronike
EMRI/ Tentoi të vriste 2 persona, shpallet në kërkim 22-vjeçari
Zbardhet dinamika e një konflikti për motive të dobëta, të ndodhur midis disa personave që fillimisht u raportua si aksident. Ngjarja në fjalë ndodhi më 1 maj në fshatin Sheqishte, ngjarje e cila u raportua fillimisht si aksident rrugor. Burime zyrtare nga policia e Fierit bënë me dije se një 22-vjeçar është shpallur në kërkim pasi tentoi që të vriste 2 persona, duke i përplasur me automjet, si dhe goditi qëllimisht automjetin e tyre. Pavli Dafa mësohet se është larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin e të dëmtuarve, ndërsa gjatë arratisë, 22-vjeçari dëmtoi edhe një automjet tjetër të parkuar.
Si rezultat i hetimeve të thelluara për një rast të përplasjes së disa automjeteve, në datë 01.05.2023, në fshatin Sheqishte, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve të DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, zbardhën dinamikën e këtij rasti, i cili u raportua fillimisht si aksident rrugor.
Në vijim të veprimeve të kryera për këtë ngjarje, u shpall në kërkim shtetasi P. D., 22 vjeç, banues në Patos, pasi nga hetimet paraprake dyshohet se më datë 01.05.2023, rreth orës 18:30, në fshatin Sheqishte, 22-vjeçari dhe babai i tij, shtetasi A. D., për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me shtetasit E. Sh., 26 vjeç, D. L., 30 vjeç dhe me një 15-vjeçar.
Pas konfliktit, dyshohet se shtetasi P. D. ka përplasur qëllimisht me automjetin që drejtonte, shtetasit E. Sh. dhe D. L. ( të cilët ndodheshin jashtë automjetit në momentin e përplasjes) dhe automjetin me të cilin udhëtonin këta shtetas, si dhe ka përplasur aksidentalisht edhe një automjet tjetër, të parkuar anash rrugës. Më pas dyshohet se shtetasi P. D. ka marrë automjetin e shtetasve të dëmtuar për tu larguar nga vendi i ngjarjes.
Nga përplasja janë dëmtuar shtetasit E. Sh. dhe D. L., të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Automjeti i shtetasit E. Sh. u gjet nga Policia, i braktisur në fshtin Visokë, Mallakastër. Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe kërkimet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Vjedhja”.