Shkrime
Epoka e Trump, ajo e përplasjes së perandorive
Donald Trump, me fitoren e tij të thellë, me kontrollin mbi Kongresin dhe Gjykatën e Lartë, ka konfirmuar se para të qenit një faktor antisistem, synon ta imponojë veten si lider i një revolucioni amerikan dhe mbarë botëror. Ndryshe nga viti 2017, këtë herë ai e planifikoi marrjen e pushtetit, bëri emërimet e besnikëve të tij në pozitat kyçe, ndërtoi një program mbresëlënës urdhrash administrativë për të shkatërruar trashëgiminë e Joe Biden, duke e reduktuar atë si një episod të pavlerë mes dy mandateve të tij.
Lideri i popullit Maga synon të prishë lidhjen ekzistenciale të Amerikës me demokracinë liberale, duke refuzuar të respektojë votën e lirë, ndarjen e pushteteve, shtetin e së drejtës, moderimin, lirinë e informacionit dhe tolerancën ndaj pakicave. Ai ka formuar një aleancë të re dhe të rrezikshme mes një njeriu të fuqishëm me temperament despotik, miliarderëve të Wall Street dhe Silicon Valley, industrsë së financës – në momentin kur Shtetet e Bashkuara përqendrojnë gjysmën e flukseve të kapitalit botëror – dhe asaj të teknologjisë, duke forcuar monopolizimin e Inteligjencës Artificiale përmes ç’rregullimit të sektorit dixhital.
Reduktimi drastik i taksave për të pasurit, i shpenzimeve federale, i agjencive dhe normave, duke krijuar një ngatërrim të qëllimshëm midis interesit kombëtar dhe atij privat, hap rrugën për një kapitalizëm grabitqar. Këto ndryshime do të shënojnë transformimin e Shteteve të Bashkuara në një demokraci illiberale, të cilën vetëm autonomia e shteteve të veçanta apo vitaliteti i shoqërisë civile mund ta frenojnë.
Ndikimi mbi ekonominë dhe gjeopolitikën do të jetë gjithashtu i fuqishëm. Kthimi i proteksionizmit në normë, me rritjen e konsiderueshme të taksave doganore, por edhe me deregullimin masiv që do të krijojë divergjenca të mëdha me vendet e tjera të zhvilluara, do të sjellë një riorientim të thellë të shkëmbimeve dhe flukseve të kapitalit, duke rrezikuar një kolaps të ngjashëm me atë të qershorit 1930. Ai do të forcojë fragmentimin e botës, me transformimin e shkëmbimeve, teknologjisë, energjisë, ushqimit, shëndetit dhe lëvizjeve migratore.
Refuzimi i çdo principi apo rregulli shkatërron ekzistencën e një rendi ndërkombëtar, duke lënë hapësirë për ambiciet perandorake dhe politikën e forcës. Kërkesat mbi kanalin e Panamasë, Kanadanë ose Groenlandën, në emër të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, përputhen me këtë logjikë, e cila refuzon të përjashtojë përdorimin e fuqisë ushtarake, duke injoruar jo vetëm sovranitetin kombëtar, paprekshmërinë e kufijve dhe të drejtën e popujve për të vendosur për veten e tyre, por edhe aleancat shumëvjeçare, përfshirë NATO-n.
Në këtë mënyrë, Donald Trump merr përsipër ndërtimin e një Amerike imperiale që i referohet të njëjtave parime si tiranitë apo regjimet autokratike të shekullit të XXI. Ajo përfshin krijimin e një sfere influence, përdorimin e të gjitha mjeteve të luftës hibride, përfshirë edhe ndëshkimin e shteteve aleate më të dobëta. Trump pritet të mendojë, vendosë dhe veprojë si Xi Jinping, Vladimir Putin apo Recep Erdogan, siç e dëshmojnë të ftuarit në ceremoninë e tij të inagurimit, nga Nayib Bukele, presidenti i Salvadorit (një njeri i fortë që ka arritur të bëhet popullor në botë përmes shtypjes së krimit në kurriz të lirive themelore), tek Jair Bolsonaro, Viktor Orban, Giorgia Meloni, Éric Zemmour dhe Santiago Abascal Conde, (lideri i Vox). Amerika e Trump është një perandori autoritare, e cila ndan vizionin imperial të Kinës, ndërkohë që është e angazhuar në një rivalitet të ashpër me të, dhe që, si ajo, nuk vendos asnjë kufi për vënien nën kontroll të kombeve demokratikë, duke filluar nga Europa.