Connect with us

Bota

Erdogan në mision sekret/ Trump pranon të ulet me Iranin për të shmangur luftën?

Presidenti amerikan Doanald Trump dhe ai turk, Recep Tayyip Erdogan, u përpoqën të organizonin bisedime sekrete SHBA-Iran në Stamboll për të ulur tensionet mes luftës së Izraelit me Iranin.

Por plani dështoi kur udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili thuhet se ishte fshehur në një bunker, nuk mundi ta miratonte atë.

Kështu raporton gazetari Barack Ravid nga media Axios, duke përmendur burime pranë palës amerikane.

Trump madje ofroi të merrte pjesë vetë në bisedime, duke synuar një marrëveshje bërthamore për të shmangur veprimin ushtarak të SHBA-ve.

Diçka e tillë nuk ndodhi gjithsesi.

Erdogan ndërkaq, më herët, i ka thënë ministrit të Jashtëm të Iranit se rifillimi i bisedimeve Iran-SHBA mbi programin bërthamor të Teheranit është e vetmja mënyrë për të arritur një zgjidhje për luftimet aktuale.

Erdogan u takua me ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi në margjinat e një takimi të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Stamboll.

Zyra e tij, në një deklaratë, vuri në dukje se udhëheqësi turk ka thënë se Izraeli duhej “të ndalej menjëherë”.

“Turqia është e gatshme të luajë një rol lehtësues për të ndihmuar në rifillimin e bisedimeve bërthamore”, ka thënë ai.

Po ashtu ka shtuar se “duhet të ndërmerren hapa sa më shpejt të jetë e mundur për të hapur diplomacinë përmes bisedimeve teknike dhe në nivel udhëheqësish midis Iranit dhe SHBA-ve”.

Teksa, sipas një raportimi nga New York Times, Khamenei jo vetëm që është fshehur në një bunker, por ka emëruar edhe tre pasardhës potencial, pasi i druhet një sulmi izraelito-amerikan kundër tij.

Eliminimi potencial i Khameneit do të linte një boshllëk të madh në kupolën drejtuese iraniane dhe muaj ndoshta do të duheshin për të zgjedhur një Lider të ri Suprem.

Në këtë formë, Khamenei ka lehtësuar të paktën fazën e përzgjedhjes paraprake, duke lënë “amanetin” e tij. Teksa ka lënë porositë përkatëse edhe për zinxhirin komandues të Gardës Revolucionare Iraniane.

Advertisement