Ai i bëri këto komente gjatë vizitës së tij të parë në Egjipt prej vitit 2012.
Erdogani dhe homologu i vet egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, folën në një konferencë të përbashkët në Kajro pas bisedimeve dypalëshe, duke e ndërmarrë një hap të madh drejt rindërtimit të marrëdhënieve mes dy fuqive rajonale.
Erdogani tha se tragjedia humanitare në Gazë ishte në krye të agjendës së bisedimeve mes tyre.
“Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me vëllezërit tanë egjiptianë për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Gazë”, tha Erdogani, duke shtuar se Turqia është e vendosur për t’i shtuar bisedimet me Egjiptin në të gjitha nivelet, në mënyrë që të vendosë paqe dhe stabilitet në rajon.
Erdogani është zotuar gjithashtu për ta rritur tregtinë me Egjiptin në 15 miliardë dollarë në afat të shkurtër kohor, duke nënvizuar se dy vendet po e shqyrtojnë bashkëpunimin në energji dhe mbrojtje.
“Do të doja ta nënvizoja lidhjen e vazhdueshme mes popujve tanë gjatë 10 vjetëve të fundit, ndërsa marrëdhënia jonë tregtare dhe investuese shënoi rritje të qëndrueshme”, tha Sisi.
Marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Kajros u prishën në vitin 2013, pasi Sisi, atëherë shef i ushtrisë, e udhëhoqi rrëzimin e Mohamed Mursit të Vëllazërisë Myslimane, i cili ishte aleat i Turqisë që ishte bërë presidenti i parë që ishte zgjedhur në mënyrë demokratike në Egjipt një vit më herët.
Por, vitin e kaluar, këto dy vende u pajtuan për emërimin e ambasadorëve dhe këtë muaj Turqia tha se do t’i japë Egjiptit dronë luftarakë.
Erdogani ka kërkuar t’i ulë tensionet me Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Izraelin prej vitit 2021, por prej tetorit të kaluar ai e ka kritikuar publikisht kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për shkak të luftës shkatërruese të Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës.
Egjipti, Izraeli, Katari dhe Shtetet e Bashkuara mbajtën bisedime jobindëse të martën në kërkim të një marrëveshjeje për armëpushim në Gazë.
Kajro e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë eksod të palestinezëve nga Gaza brenda tokës egjiptiane.
Mursi vdiq në burg në Egjipt më 2019. Anëtarët e tjerë të lartë të Vëllazërisë Myslimane ose ndodhen në burg në Egjipt, ose kanë ikur jashtë vendit, përfshirë në Turqi.
Vëllazëria Myslimane vazhdon të jetë e jashtëligjshme në Egjipt.