Aktualitet
Escobar: Sali Berisha e shkuara! Nuk ia heqim ‘Non Grata-n’
TIRANË– Zv/Ndihmës Sekretari Amerikan, Gabriel Escobar i ka shuar çdo shpresë Sali Berishës, duke ia bërë të qartë se edhe nëse fiton zgjedhjet, “Non Grata” nuk do i hiqet. Duke e cilësuar si “e shkuara e vendit”, Escobar tha se SHBA është shumë e qartë në qëndrimin e saj ndaj personave që janë sanksionuar për “korrupsion” dhe “minim të demokracisë”. Historia ka treguar se “Non Grata” nuk i është hequr askujt dhe këtu nuk bën përjashtim as Sali Berisha.
“Para së gjithash, mendoj se pozicioni ynë për këtë individ të veçantë është shumë i qartë. Por unë do të thosha se nuk njoh asnjë person që përmes zgjedhjeve të ketë arritur të ndryshojë përcaktimin e pozicionit të tyre prej Departamentit të Shtetit sipas legjislacionit tonë. Po, thënë kjo, unë mendoj se Shqipëria ka një të ardhme vërtet të jashtëzakonshme dhe duhet të fokusohet tek e ardhmja. Dhe ka shumë njerëz që do të donin ta tërhiqnin atë në të shkuarën dhe unë nuk mendoj se ky është një vend ku Shqipëria dëshiron të shkojë. Pra ajo është e shkuara? Nëse më pyet mua, patjetër, e shkuara”, tha Esobar në një intervistë në Top Story.
Sulmet e Berishës ndaj diplomates amerikane Yuri Kim, Escobar i ka cilësuar si të pajustifikuara dhe aspak diplomatike. Ai është kujdesur të theksojë se qëndrimet e ambasadoreve në tërësi, e të Yuri Kim specifikisht nuk janë qëndrime personale, po është pikërisht ajo që Sekretari dëshiron të bëjë.
“Nuk është kurrë. Do të thosha se në rajon, të gjithë ambasadorët tanë veprojnë me mbështetjen e plotë të Sekretarit të Shtetit dhe Presidentit. Të gjithë ata po veprojnë në përputhje me vlerat dhe politikat tona. Dhe është për të ardhur keq që disa nga Ambasadorët tanë në rajon janë vënë nën sulm personal. Para së gjithash, mendoj se është e pajustifikuar. Por së dyti, mendoj se është gjithashtu jodiplomatike, sepse ajo që po bën Ambasadorja jonë është pikërisht ajo që Sekretari dëshiron të bëjë. Nuk është diçka personale. Është çështje politikash. Mendoj se të gjithë duhet ta njohin këtë. Dhe në fakt, nëse do të më duhej të shtoja një opinion personal, ne kemi një nga Ambasadorët më të mirë të Shërbimit të Jashtëm që shërben në Shqipëri. Pra, nuk është një çështje personale. Është diçka profesionale”, shtoi Esobar.