Connect with us

Sport

ETHET E SHORTIT/ Shqipëria mëson sot emrat e kundërshtarëve në Europianin e Gjermanisë

Na ndajnë më pak se 6 orë nga shorti i finaleve të Europianit të Gjermanisë dhe sytë e të gjithë shqiptarëve anembanë globit janë te fati që do ti përcaktohet Kombëtares Shqiptare. Gjithçka do të nis në orën 18:00, me Shqipërinë e cila ndodhet në vazon e dytë së bashku me Hungarinë, Turqinë, Rumaninë, Danimarkën dhe Austrinë me të cilat nuk mund të përballemi.

Në vazon e parë janë ekipet e forta duke nisur me Gjermaninë organizatore që do pozicionohet në grupin A dhe Portugalia, Franca, Spanja, Belgjika dhe Anglia. Në vazon e tretë ekipet që duhen evituar janë Holanda e Kroacia ndërsa rivalë më të pranueshëm janë Skocia, Sllovenia, Sllovakia e Çekia, me këtë të fundit që morëm 4 pikë në eliminatore.

Në vazon e katërt ndodhet Italia kampione në fuqi, Serbia e Zvicra dhe do të pozicionohen edhe tre fitueset e play-off-eve. Në play-ofin A fituesja do të dalë nga përballjet Poloni-Estoni e Uells-Finlandë. Fituesi i play-off B nga sfidat Bosnje Hercegovinë-Ukrainë dhe Izrael-Islandë dhe fituesi I play-off C nga duelet Greqi-Kazakistan e Gjeorgji-Luksemburg.

Për kuqezinjtë tanë nuk përjashtohet një përballje e fortë ballkanike me Serbinë, një këmbim i cili nuk do të pengohet nga UEFA në rast se dy skuadrat do të binin në të njëjtin grup.

Advertisement