Connect with us

Kosova

ETIAS i vë vizën…vizave për Kosovën

Në mbledhjen e mbyllur, të mbajtur në Këshillin e Bashkimit Evropian, është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera – Suedi, Belgjikë, Holandë dhe Spanjë.

Presidenca çeke ka thënë përmes një deklarate se në mënyrë që të ecet përpara në këtë temë, “është e domosdoshme që të qartësohen disa çështje, dhe të vazhdohet me diskutimet”, teksa takimi i radhës i këtij grupi pritet të jetë në nëntor të këtij viti.

ETIAS është sistemi evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit. Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta. Aty kërkohet emri, vendi i lindjes, gjinia, kombësia dhe secili që plotëson formularin duhet të ketë pasaportë, email dhe një kartelë krediti për të kryer pagesën simbolike për këtë dokument. Autorizimi për udhëtim lëshohet shpejt dhe në mënyrë automatike, përveç nëse ka dyshime për të kundërtën.

Dokumenti valid ETIAS më pas rishikohet nga roja kufitare e shtetit, që merr vendimin final për hyrjen potenciale të udhëtarit në një vend të Zonës Schengen.

Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën në vitin 2018. Më 12 tetor të këtij viti, ky Komision ka konfirmuar në Raportin vjetor të Progresit se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret.

 

 

 

Advertisement