Kosova
Eureka, Kurti jep zgjidhjen/ Ja si merr fund problemi me Serbinë
“Zgjidhja e problemit mes Kosovës dhe Serbisë është modeli i dy Gjermanive i vitit 1972” – Kështu deklaroi Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë me gazetën holandeze “Trouw”.
“Ne arritëm një marrëveshje nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian në shkurt, por problemi është zbatimi. Serbia refuzon të nënshkruajë dhe ka shkelur të paktën tetë nga njëmbëdhjetë nenet. Pa nënshkrim, tregohet se dikush ka rezerva. Mendoj se duhet t’i përmbahemi modelit të vitit 1972 për Gjermaninë Perëndimore dhe Lindore: jeto dhe lër të jetojnë, me njohje de facto reciproke”.
“Ajo që nevojitet në Serbi, është një lider i guximshëm demokrat, i cili distancohet nga Milloshevici dhe Putini. Deri atëherë, kam frikë se nuk mund të ketë normalizim mes dy vendeve”, potencoi kryeministri i Kosoves.
Kurti tha se, për dallim nga Serbia, Kosova nuk bën propagandë. Sipas tij, “shpesh e më shpesh, nuk mund ta dëgjosh më të vërtetën e Kosovës përmes gënjeshtrave të Serbisë”.
Ai deklaroi se në Bashkimin Europian ka dy lloje diplomatësh që janë dominues në përcaktimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“I pari është i ndrojtur, i frikësuar se Serbia mund ta tërheqë Rusinë në një raund tjetër të luftërave ballkanike. Dhe kjo është arsyeja pse ai preferon kënaqësinë ndaj përballjes. Kurse lloji i dytë mendon në mënyrë utopike. Ai beson se Serbia mund të futet në kampin perëndimor me presidentin Vuçic, por pa demokratizim ky është një mision i pamundur” – deklaroi kryeministri.