Connect with us

Sport

EURO 2024: Gjermania e mposht bindshëm Skocinë në ndeshjen hapëse

Kampionati Evropian i futbollit 2024 filloi të premten mbrëma, me nikoqiren Gjermaninë që e mposhti bindshëm 5:1 Skocinë në ndeshjen hapëse të Grupit A në stadiumin Allianz Arena në Munih.

Florian Wirtz, Jamal Musiala, Kai Havertz, Niclas Fullkrug dhe Emre Can i shënuan golat për Gjermaninë, kundër një skuadre skoceze që luajti me 10 futbollistë për pjesën më të madhe të ndeshjes, pasi Ryan Porteous u përjashtua nga loja me karton të kuq në fund të pjesës së parë.

Mbrojtësi gjerman Antonie Rudiger shënoi autogol në fund të ndeshjes për golin ngushëllues të skocezëve. Gjermania do të përballet me Hungarinë në ndeshjen e dytë në grup, ndërsa Skocia me Zvicrën. Hungaria dhe Zvicra përballen paraprakisht të shtunën, më 15 qershor.

Ky është edicioni i 17-të i Kampionatit Evropian, i njohur më mirë si EURO, dhe në të po merr pjesë edhe Shqipëria – për herë të dytë në historinë e vet, pas debutimit më 2016.

Ndeshjes hapëse mes gjermanëve dhe skocezëve i parapriu ceremonia e zakonshme zyrtare.

Kosova dështoi të kualifikohej, ndërsa Shqipëria do ta ketë një grup zor ta kalueshëm, pasi përballet me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.

Turneu ka gjashtë grupe me nga katër ekipe secili. Ekipet në secilin grup përballen njëra me tjetrën nga një herë. Dy ekipet me më së shumti pikë në grup kalojnë në fazën tjetër të garës, së bashku me katër ekipe që kanë paraqitje më të mira nga vendet e treta.

Ndeshjet do të zhvillohen në 10 stadiume në qytete të ndryshme të Gjermanisë nga 14 qershori deri më 14 korrik.

Nga rrethi i 16 më të mirëve e tuje, gara është e karakterit të eliminimit direkt në fazat çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale për ta përcaktuar kampionin.

Anglia dhe Franca shihen si kombëtaret favorite për ta fituar trofeun evropianin. Anglia nuk ka fituar trofe të madh ndërkombëtar prej se e fitoi Kupën e Botës më 1966 dhe doli humbëse në EURO-n e kaluar kur u mposht nga Italia.

Franca ishte finaliste e Kupës së Botës 2022, ku u mposht nga Argjentina e Lionel Messit, dhe udhëhiqet nga superylli i ri i Real Madridit, Kylian Mbappe.

Cilat janë grupet?

Grupi A: Gjermani, Skocia, Hungaria, Zvicra

Grupi B: Spanja, Kroacia, Italia, Shqipëria

Grupi C: Sllovenia, Danimarka, Serbia, Anglia

Grupi D: Polonia, Holanda, Austria, Franca

Grupi E: Belgjika, Sllovakia, Rumania, Ukraina

Grupi F: Turqia, Gjeorgjia, Portugalia, Republika e Çekisë

Advertisement