Aktualitet
Euro 2024/ Shqipëria tregon karakter dhe merr një pikë në Çeki
Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 1-1 kundër Çekisë në Pragë, për sfidën kualifikuese të Euro 2024 në grupin E. Kuqezinjtë ia dolën të marrin një pikë, në një ndeshje të luftuar, me raste dhe me një lojë të mirë. Sylvinho u tregua guximtar në këtë duel, duke hedhur në fushë një ekip sulmues paçka se luante me vendin e parë në grup. Goli i Cerny në minutën e 57-të hapi ndeshjen për çekët, ndërsa Nedim Bajrami u kujdes të linte shenjë me një “perlë” nëntë minuta më vonë, teksa realizimi nga jashtë zone ishte me vlerën e një pike për tanët.
Ndeshja nisi mirë për tanët, që kishin dy raste me Asanin dhe Cikalleshin. Dyshja nuk përfitoi në disa momente, me pjesën e parë që u mbyll pa gola. Duhej fraksioni i dytë i lojës që Cerny në të 57 minutë të kalonte vendasit në avantazh, kjo edhe pas një gabimi në prapavijën e kuqezinjve. Përtej golit të pësuar, Kombëtarja reagoi dhe pas dhjetë minutash shënoi me Nedim Bajramin. Fantazisti i Sassuolos mori topin dhe me një të djathtë nga jashtë zone shtangu portierin vendas.
Fundi i lojës ishte dramatik, me Dakun që nuk pasoi mirë për Mujën, duke humbur një rast të mirë në debutim. Në fund edhe pas shtatë minutave lojë ndeshja u mbyll 1-1, teksa kuqezinjtë e Sylvinhos siguruan një pikë me vlerë kundër kryesuesve të grupit.
Po për grupin tonë, Polonia fitoi 2-0 me Ishujt Faroe. Pas katër ndeshjeve në grup, Çekia me tetë pikë është në krye, ndjekur nga Shqipëria me shtatë pikë dhe Polonia me gjashtë. Moldavia në vendin e katërt me pesë pikë, teksa mbyllin klasifikimin me një pikë Ishujt Faroe.
Me paraqitjen e mirë dhe pikën e marrë, Shqipëria pret me moral të lartë Poloninë në “Air Albania”, këtë të diel në orën 20:45 për grupin E kualifikues të Euro 2024.
Zhvillimet kryesore nga ndeshja:
90+7′ Mbyllet 1-1 ndeshja në “Fortuna Arena”.
90′ Shtatë minuta shtesë.
84′ Gjasula dhe Uzuni në fushë, dalin Bajrami dhe Seferi.
83′ Mirlind Daku nuk pason saktë për Mujën, teksa kundërsulmi mund të ishte deçiziv për tanët. Në një aksion që ishim në avantazh numerik, Daku gaboi një pasim të thjeshtë.
74′ Berisha hero te Shqipëria, shpëton një gol të sigurt dhe mban në lojë tanët.
69′ Dy zëvendësime te tanët, Bare dhe Arbnor Muja në fushë. I bëjnë vend Asani dhe Asllani.
66′ Nedim Bajrami barazon ndeshjen me një perlë nga jashtë zone. Çeki 1-1 Shqipëri në Pragë. Vetëm nëntë minuta zgjat avantazhi i vendasve.
58′ Mirlind Daku merr vendin e Cikalleshit.
57′ Cerny në minutën e 57-të të ndeshjes ndëshkon tanët. Një vendosje jo e mirë në prapavijë ka sjellë edhe golin e vendasve.
52′ Jasir Asani merr karton të verdhë.
48′ Çekia shënon me Provod. Sulmuesi ndëshkon Berishën, por VAR i vjen në ndihmë tanëve duke konfirmuar pozicionin jashtë loje.
46′ Nis pjesa e dytë.
45+2′ Mbyllet pjesa e parë.
43′ Gafë e Shqipërisë në mesin e fushës, Soucek fal kuqezinjtë.
28′ Jasir Asani i vetëm me portierin çek gabon nga brenda zonës. Anësori i jep “asist” sulmuesit duke ngritur flamurin për pozitë jashtë loje. Disa sekonda më pas, Cikalleshi nuk ka mundur të përfitojë në zonën vendase.
12′ Cerny provon te vendasit nga jashtë zone, ndal bukur Berisha.
6′ Sulm i bukur i tanëve, Cikalleshi është në pozicion jashtë loje.
1′ Nis ndeshja në “Fortuna Arena”.
Prag – dueli / Me këngë patriotike dhe me valle, kuqezinjtë duken si në shtëpinë e tyre, teksa janë më shumë se 4 mijë fansa shqiptar në stadium, edhe pse zyrtarisht do duhet të ishin diçka më shumë se 1200.
Që prej ditës së djeshme tifozët e Kombëtares ishin prezent në Pragë, duke kthyer në festë sheshet dhe lokalet në kryeqytetin çek.
Trajneri i tanëve, Sylvinho ka bërë edhe zgjedhjet e tij në listën me 23 emrat që do ketë të gatshëm për këtë duel. Sipas protokollit të bërë publik edhe nga UEFA, Odise Roshi ka mbetur në tribunë për këtë sfidë, me Mujën dhe Dakun që do jenë të gatshëm. Nëse Qazim Laçi mbeti në Tiranë për shkak të problemeve gripale, Roshi ka dalë “i tepërt” për Çekinë.
Sylvinho luajti me skemën 4-3-3, teksa Berisha është në portë. Në mbrojtje luan Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj, ndërsa mesi i fushës për Ramadanin, Asllanin dhe Bajramin. Sulmi i takon Asanit, Seferit dhe Cikalleshit. Bie në sy se jashtë formacionit ka mbetur Balliu, Gjasula dhe Uzuni. Me bërjen publike të formacioneve, bie në sy se kapiteni i ri i Shqipërisë do jetë Berat Gjimshiti. Edhe pse Berisha dhe Hysaj janë në fushë, mbrojtësi i Atalantës është graduar në detyrën e re.
Në total dy kombëtaret ishin vënë përballë njëra-tjetrës në 6 raste, ndërsa 5 prej tyre kanë qenë në periudhën kur Çekia dhe Sllovakia ishin bashkë. Tre sfidat e para kanë qenë miqësore, një fituar nga Çekosllovakia dhe dy të tjerat nga Shqipëria. Të vetmet ndeshje zyrtare janë zhvilluar në vitin 1991 për kualifikueset e Europianit, teksa Çekosllovakia i ka fituar të dyja. 0-2 në Tiranë dhe pak më vonë 2-1 në Pragë.
FOTO/ ‘Bajrami shënoi sërish’, postimi i UEFA-s për mesfushorin e Kombëtares pas supergolit me Çekinë
“Bajrami e bëri përsëri”, shkruan “EURO 2024” në “Instagram” duke i thurur elozhe mesfushorit kuqezi.
Supergoli i tij kundër Çekisë në minutën e 66’, bëri që kuqezinjtë të dilnin me një pikë nga transfertë.
Postimi i referohet dhe golave të mëparshëm të mesfushorit që luan me Sasuolon, i cili shkon kështu në kuotën e 3 golave në tre ndeshjet e fundit me Kombëtaren.
Për Bajramin ky ishte goli më i bukur i karrierës së tij.
Duka i kënaqur me golin në Çeki, shpreson fitore dhe të dielën me Poloninë! Festa e tifozëve shqiptarë në Pragë
Presidenti i FSHF-së Armand Duka u shpreh i kënaqur me rezultatin.
“Jam i kënaqur dhe i gëzuar me rezultatin”
Tani nis përgatitja për ndeshjen e të dielës.
“Na pret një ndeshje shumë e vështirë në Tiranë. Uroj ta fitojmë në shtëpi. Do kemi gjithë Shqipërinë me vete” tha Duka.
Ndërkohë ka nisur festa e tifozëve shqiptarë në metronë e kryeqytetit çek por dhe në hotelin ku janë akomoduar futbollistët e kombëtares.
Të dielën Shqipëria luan me Poloninë në stadiumin “Air Albania”
Sylvinho: Tifozët panë një ndeshje shumë të bukur! Atmosferë shumë e mirë në dhomat e zhveshjes! Ndeshja me Poloninë është shumë e rëndësishme
Trajneri Sylvinho u shpreh shumë i kënaqur nga loja e kombëtares me barazimin 1 – 1 në ndeshjen me Çekinë.
“Ishte një skuadër e fortë sepse ata luanin dhe në shtëpinë e tyre. Kanë një ritëm shumë të fortë sidomos në fillim të ndeshjes. Luan shumë fort në shtëpi dhe ishte shumë e rrezikshme. Është e rëndësishme të merrnim një pikë. Jemi në gjysmë të rrugës. Kemi bërë një ndeshje të mirë’
E rëndësishme për kualifikimin është ndeshja me Poloninë
“Ndeshja me Poloninë është shumë e rëndësishme. Jam shumë i kënaqur për shpirtin e garës që treguan, qoftë për Mujën e Dakun. Po krijohet një atmosferë shumë e mirë në dhomat e zhveshjes dhe është shumë pozitive. Tifozët panë një ndeshje shumë të bukur.
‘Ky është goli më i bukur në karrierë’, heroi Bajrami: Dhamë shpirtin në fushë! Të vazhdojmë me këmbë në tokë me Poloninë
Në një prononcim për median ai tha se luajtën si skuadër
Nedim Bajrami: E kena ditë që do të jetë ndeshje e vështirë. Dhamë shpirtin në fushë. Duhet të vazhdojmë me këmbë në tokë. Të dielën kemi finale tjetër. E dimë që do të luajmë në shtëpi. Shpresojmë që të gjithë tifozët të japin shpirtin. Luajtëm si skuadër dhe bëmë golin
Pyetje: A është goli më i bukur i karrierës tënde?
Nedim Bajrami: Deri tani është goli më i bukur që kam bërë në karrierën time.
Debutim me pikë, Mirlind Daku s’i mban lotët për Kombëtaren: Ja pse gabova te pasimi për Mujën
Mirlind Daku debutoi me Kombëtaren kuqezi, në barazimin 1-1 me Çekinë në Pragë. Sulmues s’i mbajti lotët duke folur edhe për rastin e humbur.
“Nuk e di, jam pa fjalë. Kur përfundoi ndeshja isha totalisht i emocionuar që arrita të debutoj me kombëtaren shqiptare. Për mua është arritje e madhe, për familjen time që kemi luftuar për të arritur këtë moment. (Nuk mban lotët)
Pasimi? Në rastin e parë mendova ta pasoja te Nedimi por në atë moment mendova që është jashtë loje e mendova t’ia jap Mujës. Nuk desh Zoti ta mbyllnim me atë aksion e shënonim. Dëshira ime ishte të shënonim por çfarë t’i bëjmë. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të jemi më syhapur”, tha për “Supersport” Daku.