Kosova
Euro ose Rusinë/ Kushte të reja për Serbinë nga PE-ja
Parlamenti Evropian ka nisur të martën procedurën e miratimit të propozimit të Komisionit Evropian për planin e rritjes dhe reformave për Ballkanin Perëndimor, i cili ofron një shumë të përgjithshme prej 6 miliardë eurosh ndihmë shtesë financiare.
Për t’u zyrtarizuar ky plan, është i domosdoshëm pajtimi ndërinstitucional në Bashkim Evropian, që kërkon edhe miratimin nga Parlamenti Evropian, I cili është nën presion për ta aprovuar sa më shpejt këtë vendim për shkak se në prill do ta mbajë seancën e fundit plenare me këtë përbërje, para zgjedhjeve të reja në qershor.
Parlamenti Evropian, krahas kushtëzimeve që i ka propozuar më herët edhe Komisioni, ka kërkuar edhe masa shtesë, me të cilat do të kushtëzohej përdorimi i mjeteve financiare, në mënyrë që të sigurohet më mirë mbrojtja e interesave të Bashkimit Evropian
Parlamenti Evropian ka kërkuar që, mes tjerash, përdorimi i mjeteve të kushtëzohet edhe me mbështetjen e qëndrimeve të BE-së në Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë.
Ky propozim ndryshim mund të ketë efekt kryesisht në rastin e Serbisë, pasi është vendi i vetëm i rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili nuk i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Por, për t’u përfshirë kjo në kushtëzime duhet të pranohet edhe nga Këshilli i BE-së, ku vendosin vendet anëtare të bllokut.
Kosovës dhe Serbisë do t’u kërkohet specifikisht të angazhohen në mënyrë konstruktive për normalizimin e marrëdhënieve.Parlamenti ka propozuar që këtu të shtohet edhe një sqarim që kërkohet “rezultat i qartë i matshëm dhe rezultate konkrete”.
Sipas këtij plani, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka në dispozicion 6 miliardë euro shtesë për rritje ekonomike dhe reforma të BE-së. Nga kjo shumë, 2 miliardë do të jenë në formën e granteve pa kthim për përfituesit, ndërsa 4 miliardë do të jenë kredi të favorshme për të cilat do të garantonte BE-ja.
Komisioni Evropian beson se ky plan do ta ndryshojë shumë Ballkanin dhe do të jetë gjenerator për rritje të konsiderueshme ekonomike dhe me këtë do ta ndihmojë edhe progresin e këtyre vendeve drejt integrimit në BE.