Connect with us

Bota

Europa duhet të mendojë të pamendueshmen për NATO-n

Nga Gideon Rachman – FT

Gerardus Mercator ka ndoshta shumë për të cilat duhet të japë llogari. Ai ishte hartografi që, në shekullin e 16-të, krijoi një hartë botërore për të ndihmuar lundërtarët. Në hartën e Mercatorit, e cila i zmadhon rajonet polare dhe ende përdoret gjerësisht sot, Groenlanda duket më e madhe se e gjithë Amerika e Jugut dhe afërsisht sa Afrika. Në realitet, të dy këto kontinente janë shumë herë më të mëdha.

Madhësia e gënjeshtërt e Groenlandës mund të ketë ndihmuar në ndezjen e dëshirës së Donald Trump-it për ta marrë nën kontroll ishullin. Presidenti amerikan u ka thënë një herë gazetarëve: “Më pëlqejnë shumë hartat. Dhe gjithmonë kam thënë: ‘Shikoni sa e madhe është kjo, është gjigante, dhe duhet të jetë pjesë e Shteteve të Bashkuara.'” Danimarka, e cila ka sovranitet mbi ishullin, do t’i jepte me kënaqësi Amerikës të gjitha objektet ushtarake që i nevojiten, si edhe akses në mineralet kritike të Groenlandës. Pra, nuk ka asnjë arsye strategjike për aneksimin amerikan. Egoja e presidentit po e shtyn këtë politikë.

Trump ka folur në mënyrë kërcënuese për marrjen e Groenlandës “në mënyrën e lehtë” ose “në mënyrën më të vështirë”, një referencë e qartë për përdorimin e forcës. Si përgjigje ndaj këtyre kërcënimeve amerikane, kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka thënë se aneksimi i Groenlandës do të përfaqësonte fundin e aleancës së NATO-s. Nicholas Burns, ish-ambasador i SHBA-së në NATO, është dakord se një pushtim amerikan “do ta shkatërronte NATO-n”.

Disa anëtarë europianë të NATO-s ndoshta do të përpiqeshin ta mbanin gjallë aleancën edhe nëse Amerika do të pushtonte Groenlandën, duke arsyetuar se ende kanë nevojë për mbrojtjen amerikane kundër Rusisë. Por një aleancë e bazuar në mbrojtje të ndërsjellë nuk mund të mbijetojë nëse një anëtar sulmon një tjetër. Pas kësaj, asnjë garanci sigurie amerikane për Europën nuk do të kishte më vlerë. Edhe nëse disa europianë do të përpiqeshin të kapeshin pas rrënojave të NATO-s, ajo përfundimisht do të fundosej në valët e Atlantikut të Veriut.

Preferenca e parë e qeverisë amerikane është qartazi t’i detyrojë danezët të shesin Groenlandën. Por edhe ky do të ishte një akt i paprecedentë agresionikundër një aleati,ndaj të cilin NATO do ta kishte shumë të vështirë të mbijetonte.

Fatmirësisht, pavarësisht kërcënimeve të Trump-it, ende jemi larg skenarëve më të këqij. Ngjarjet në Iran dhe Venezuelë mund ta largojnë vëmendjen e Shtëpisë së Bardhë nga Groenlanda. Republikanë të rëndësishëm janë shprehur hapur kundër aneksimit.

Europianët po flasin gjithashtu për forcimin e pranisë së NATO-s në Arktik. Por meqë Trump e ka bërë shumë të qartë se ai dëshiron ta zotërojë ishullin, kjo vështirë se do ta kënaqë atë.

Një rrugë më e dobishme për Europën do të ishte të shpjegonte, publikisht dhe privatisht, se çfarë do të nënkuptonte fundi i NATO-s për SHBA-në. Vazhdimi i ekzistencës së bazave ushtarake amerikane në Europë do të vihej menjëherë në pikëpyetje. Disa në rrethin e Trump-it mund ta mirëprisnin këtë, pasi e shohin mbrojtjen e Europës si një barrë të panevojshme për SHBA-në. Por baza si Ramstein në Gjermani përdoren për projeksionin e fuqisë amerikane, përfshirë në Lindjen e Mesme dhe Iran. Një prishje e lidhjeve të sigurisë mes SHBA-së dhe Europës do të thoshte gjithashtu se BE-ja nuk do të ndihej më e detyruar të reagonte në mënyrë pasive ndaj tarifave të Trump-it. Mund të vendosen kundërtarifa që përputhen me taksën amerikane prej 15 për qind ndaj Europës.

Shitjet e armëve drejt Europës, kaq të rëndësishme për prodhuesit amerikanë të mbrojtjes, do të binin gjithashtu, pasi vendet europiane do të bëheshin më të kujdesshme në përdorimin e produkteve amerikane në infrastrukturën e tyre kritike. Gjigantët e teknologjisë të Silicon Valley mund të prisnin taksa dhe rregullime shumë më të rrepta. Bojkotet e produkteve amerikane nga konsumatorët, tashmë të zakonshme në Kanada, mund të përhapeshin edhe në Europë, tregu më i madh i jashtëm i Amerikës. Akses më i madh amerikan në tregun rus do të ishte një kompensim i vogël.

Rreziqet për vendet europiane nga një ndarje me SHBA-në do të ishin qartazi shumë të mëdha. Ato do të duhej të vepronin shpejt për të krijuar një pakt të ri sigurie që ta zëvendësonte NATO-n. Vendet që nënshkruan një letër të përbashkët në mbështetje të Danimarkës, Britania, Franca, Gjermania, Italia, Polonia dhe Spanja, mund të formonin bazën e kësaj aleance, së bashku me vendet nordike. BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar së bashku kanë pasurinë dhe popullsinë e nevojshme për ta frenuar Rusinë. Por kjo do të kushtonte shumë para dhe mund të kërkonte hapa të dhimbshëm, si vendosja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Edhe Amerika ka shumë mjete për ta bërë jetën të vështirë për një Europë pas NATO-s. Administrata Trump me siguri do të përpiqej ta përçante BE-në dhe të krijonte partneritete të veçanta me shtete individuale. Vendet që mund të binin në këtë grackë, si Hungaria, do të përballeshin me zgjedhjen mes anës amerikane ose vazhdimit të anëtarësimit në BE. Dekada bashkëpunimi transatlantik kanë krijuar gjithashtu varësi ekonomike që SHBA-ja mund t’i shfrytëzojë, duke kthyer në armë gjithçka, nga përditësimet e softuerëve deri te qasja në kartat e kreditit.

Britania është në veçanti e cenueshme për shkak të përmasave të lidhjeve të saj të sigurisë me SHBA-në. Shërbimet britanike dhe amerikane të inteligjencës janë të ndërthururangushtë. Parandalimi bërthamor britanik përdor softuer dhe raketa amerikane. BAE Systems, kompania më e madhe britanike e mbrojtjes, shet më shumë në SHBA sesa në Mbretërinë e Bashkuar.

Prandaj, shumë njerëz në establishmentin britanik e shohin fundin e NATO-s si diçka krejtësisht të paimagjinueshme. Pa dyshim, do të ishte diçka e paprecedentë dhe e rrezikshme, jo vetëm për Britaninë, por edhe për Europën dhe vetë SHBA-në. Por gjëra të paprecedenta dhe të rrezikshme kanë ndodhur shpesh në histori. Fatkeqësisht, kur bëhet fjalë për NATO-n, ka ardhur koha të fillojmë të mendojmë për të pamendueshmen. / Financial Times

Advertisement