Connect with us

Aktualitet

Europa flet me një zë, nuk e braktisim SPAK-un, është institucion me rol kyç

Në një përgjigje zyrtare, Komisioni Evropian ka pranuar se roli i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion “është i një rëndësie kyçe”

Më 29 janar, një notë diplomatike iu dërgua të gjitha institucioneve më të larta në Shqipëri nga Ambasada Amerikane në Tiranë, siç raportoi ekskluzivisht Albanian Post.

Aty njoftohej ndërprerja me efekt të menjëhershëm e mbështetjes dhe fondeve, deri në një rishikim të dytë, pas Urdhrit Ekzekutiv të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me ndihmën në vendet e huaja.

Vendimi i Trump-it prekte edhe Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), e cila gëzonte një mbështetje shumë të gjerë dhe të fortë nga administrata amerikane prej krijimit të saj, duke marrë ndihma si financiare ashtu edhe logjistike.

Përtej ndihmës amerikane, SPAK është mbështetur që në krijimin e saj me kontribut direkt edhe nga Bashkimi Evropian përmes programit të ashtuquajtur Konsolidimi i Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (EURALIUS V) përgjatë viteve 2018 dhe 2021.

Ky bashkëpunim i frytshëm mes institucionit të drejtësisë dhe Unionit do të vazhdojë edhe në mungesën (e përkohshme ose jo) të programeve të SHBA-ve, ka mësuar Albanian Post.

“Ne jemi vënë në dijeni për njoftimin e bërë nga Presidenti Trump për të pezulluar përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-ve për 90 ditë në pritje të rishikimeve nga administrata e re. Reforma e sektorit të drejtësisë në Shqipëri dhe forcimi i shtetit të së drejtës janë vendimtare për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, deklaroi fillimisht një zëdhënës i Komisionit Evropian për AP-në.

Bashkimi Evropian është “i përkushtuar të mbështesë këto përpjekje”, pranoi përfaqësuesi i BE-së.

Zyrtari evropian theksoi gjithashtu se “roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit është i një rëndësie kyçe”.

Më në detaje

Në reagimin e saj, pas ndërprerjes së përkohshme të fondeve dhe ndihmës amerikane, Prokuroria e Posaçme do të shpjegonte se ka bashkëpunuar edhe me agjencitë e huaja të hetimit dhe inteligjencës.

“Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), prej krijimit kanë pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre përmes misioneve: OPDAT, ICITAP, DEA, FBI”.

Sipas institucionit të drejtësisë, mbështetja e autoriteteve amerikane ka qenë “tejet e rëndësishme për fuqizimin e punës së SPAK dhe konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve”.

Për vitin 2024, Shqipëria mori një mbështetje financiare prej 18 milionë e 470 mijë e 118 dollarësh nga agjencitë amerikane.

Sipas të dhënave nga SHBA-të, ky është një financim dukshëm më i ulët krahasuar me vitin 2023, kur Shqipëria mori 38 milionë e 540 mijë e 120 dollarë.

Skenarët e pritshëm

Lajmi gjithsesi nuk ishte i papritur, por sjell në vëmendje shqetësimin e shtuar kudo në botë ku ndihma amerikane ishte e pranishme dhe për interesin e shqiptarëve, pa diskutim në Ballkanin Perëndimor.

Por, nëse i referohemi në veçanti SPAK-ut, si mund të ndikojë pezullimi i ndihmës amerikane për të paktën disa muaj?

Pikë së pari, duhet thënë se urdhri ka të bëjë në veçanti me financimet amerikane dhe me aspektin logjistik dhe jo me aspektin demonstrativ të deklaratave.

SPAK gëzon një tjetër aleat të rëndësishëm si Bashkimi Evropian, ndaj, edhe nëse do të nevojiten financime shtesë, apo logjistikë, agjencitë e ndryshme të Unionit mund ta ndihmojnë Prokurorinë e Posaçme në këtë drejtim, me SHBA-të që kalojnë në një rol më pasiv.

Pra, është e qartë se boshllëkun logjistik, deri më tani SPAK-u mund ta plotësojë me partnerët evropianë.

Advertisement