Connect with us

Bota

Evropa, kontinenti me ngrohjen më të shpejtë

Evropa u godit rëndë nga pasojat e ndryshimit të klimës në vitin 2023, sipas një raporti të ri gjithëpërfshirës mbi motin në kontinent. Raporti i shërbimit zyrtar të monitorimit të ndryshimeve klimatike, “Copernicus”, thotë se moti ekstrem, duke përfshirë përmbytjet, zjarret dhe valët e të nxehtit, po shkaktojnë pasoja për mjedisin dhe banorët në Evropë.

Shërbimi i monitorimit të klimës në BE, “Copernicus”, thotë se Evropa është kontinenti me ngrohjen më të shpejtë.

Temperaturat në Evropë po rriten dy herë më shumë se mesatarja globale dhe që nga viti 2020, kontinenti ka shënuar tre nga vitet më të ngrohta.

Në vitin 2023, temperatura në Evropë arriti nivelin 1.1 për qind mbi mesataren dhe rreth 2.5 për qind mbi nivelet para-industriale.

Qendra “Copernicus” thotë se vdekjet e lidhura me nxehtësinë në rajon janë rritur me rreth 30 për qind në 20 vitet e fundit.

Por ndryshimi i klimës ka rritur edhe nivelin e reshjeve me 7 për qind, duke shkaktuar përmbytje të rënda në Greqi, Itali, Slloveni dhe vende të tjera.

Drejtori i qendrës Copernicus, Carlo Buontempo thotë se rritja e temperaturave po ndryshon peizazhin e kontinentit dhe se banorët e tij duhet të përshtaten me këto ndryshime dhe të punojnë për zbutjen e pasojave të ndryshimeve klimatike.

“Ne po jetojmë tashmë në një klimë që është thelbësisht e ndryshme nga klima, në të cilën evoluoi qytetërimi ynë. Nuk kemi parë kurrë një det kaq të ngrohtë dhe temperatura kaq të larta. Kështu që raporti është i rëndësishëm sepse tani ne kemi informacione dhe duhet të bëjmë një bilanc të asaj që ka ndodhur dhe në më pas të analizojmë hapat që duhet ndërmarrë për të ardhmen tonë”, thotë zoti Buontempo.

Ndikimi i ndryshimit të klimës në Evropë ka qenë kompleks, ku disa zona si Spanja janë përballur me thatësirën ndërsa zona të tjera të kontinentit janë përballur me mot më të freskët dhe me nivel më të lartë të reshjeve.

“Evropa në tërësi, për sa i përket reshjeve shënoi një rritje në nivel 7% mbi mesataren, por kjo është një shifër komplekse. Ndërkohë që Gjermania veriore, një pjesë e Skandinavisë, Ballkani, Britania dhe Irlanda kanë përjetuar një vit mjaft të lagësht, Katalonja dhe Franca jugore, janë përballur me thatësirën, që ka vazhduar edhe në vitin 2023”, thotë ai.

Përveç përmbytjeve, Greqia përjetoi edhe zjarre shkatërruese.

“Në vitin 2023 ka patur zjarre masive në Greqi, në një nivel që nuk është regjistruar më parë. Në përgjithësi, ishte një vit që në një periudhë ishte më i fortë se vitet e kaluara, por në tërësi nuk ishte më i rëndi”, thotë Buontempo.

Eksperti i klimës Richard Allan, i cili nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në raportin e Qendrës “Copernicus”, thotë se metereologët presin që ngjarjet ekstreme të motit të bëhen më të shpeshta.

“Ndryshimi i klimës do të shkaktojë më shumë përmbytje dhe më shumë thatësira, si dhe më shumë valë nxehtësie. Ky ndryshim i klimës, në disa zona do të shkaktojë rritje të nivelit të reshjeve dhe në zona të tjera thatësirë.”

Studiuesi Richard Allan thotë se ngrohja do të krijojë kushtet të paqëndrueshme të motit në Evropë, që do të jenë të vështira të menaxhohen.

‘”Ne presim vetëm përkeqësim të mëtejshëm të ngjarjeve të motit ekstrem. Pra, ne presim që të ketë lëkundje më të forta mes kushteve të nxehta dhe të thata dhe atyre të lagështa. Lëkundjet midis lagështisë dhe thatësirës do të bëhen më të forta nga dita në ditë dhe nga viti në vit.”

Eksperti Richard Allan paralajmëron se ngrohja e vazhdueshme e oqeaneve evropiane është një shqetësim i veçantë.

Raporti i Qendrës “Copernicus” thotë se në të gjithë Evropën Qendrore, madje edhe në rajonet ku ndodhen Alpet kishte shumë më pak ditë me borë se mesatarja.

Advertisement