Shkrime
NE MYNIH EUROPA PERBALLE PASQYRES
Nga Baton Haxhiu
Vitin e kaluar, drejtori i konferencës nuk arriti t’i mbajë lotët kur dëgjoi fjalimin e JD Vance sepse për herë të parë në atë sallë u tha me zë të lartë ajo që zakonisht thuhet vetëm në korridore, se problemi i Evropës nuk është jashtë saj, por brenda saj.
Salla në Mynih nuk u trondit nga një lajm i ri, por u trondit nga një e vërtetë e thënë pa diplomaci. Kur zv. presidenti Amerikan mori fjalën, ai nuk foli për Ukrainën, as për NATO-n, as për Rusinë, por foli për Evropën dhe për herë të parë në këtë forum, Amerika nuk po i kërkonte Evropës më shumë bashkëpunim, po i kërkonte pjekuri, dhe kjo ishte shumë e rëndë për t’u dëgjuar.
Ai nuk e kritikoi Evropën si kundërshtar, e kritikoi si aleat që është bërë i varur, dhe pikërisht aty filloi shqetësimi i vërtetë, sepse ndodhi ajo që ishte paralajmëruar prej muajsh nga administrata e re amerikane, që Amerika nuk do të mbajë më peshën psikologjike të sigurisë evropiane, jo vetëm ushtarake, por psikologjike.
Në Mynih këtë vit nuk do të diskutohet më si të mbrohet Evropa, por po diskutohet nëse Evropa di të mbrojë veten, dhe kjo është tema e vërtetë e konferencës së sivjetme.
Vite me radhë, kjo konferencë ka qenë vendi ku Evropa vinte për të dëgjuar se çfarë mendon Amerika për botën, ndërsa këtë vit Evropa vjen për të dëgjuar se çfarë mendon Amerika për Evropën, dhe përgjigjja me siguri do jetë e ftohtë.
Amerika ka një qëndrim se Problemi i Evropës nuk është Rusia, por fakti se ajo nuk sillet si fuqi, dhe kur zëvendëspresidenti amerikan fliste vitin e kaluar për varësinë energjetike, për burokracinë e pafund, për paaftësinë për të prodhuar siguri pa SHBA-të, për iluzionin moral që e zëvendëson fuqinë reale, në sallë nuk pati kundërshtime, por pati heshtje, një heshtje që tregonte se kritika nuk ishte e padrejtë.
Pikërisht këtu ndryshon karakteri i kësaj konference, sepse Mynihu historikisht ka qenë vendi ku Perëndimi fliste për botën, ndërsa këtë vit Perëndimi po flet për veten dhe dështimet e tij.
Tema zyrtare e këtij viti, sipas raportit paraprak të konferencës, është:
“Relearning Deterrence” (Rimësimi i parandalimit përmes fuqisë).
Tema e sivjetme nuk është gjeopolitika, tinë organizatorët, por psikologjia e një kontinenti që e ka humbur instinktin e fuqisë, dhe në korridoret e Bayerischer Hof nuk do flitet vetëm për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme, por po flitet për diçka më të thellë, për faktin se Evropa është bërë një hapësirë rregullash, jo një hapësirë force, një hapësirë vlerash, jo një hapësirë vendimesh, një hapësirë morali, jo një hapësirë pushteti.
Ndërkohë, Amerika e re nuk është më e gatshme ta mbrojë një Evropë që nuk mbron veten, dhe kjo e zhvendos krejt debatin e konferencës, sepse deri dje pyetja ishte si ta ndalojmë Rusinë, ndërsa sot pyetja është pse Evropa nuk e frikëson më askënd.
Deri dje pyetja ishte si ta forcojmë NATO-n, ndërsa sot pyetja është nëse ekziston vullneti politik evropian për ta bërë NATO-n të panevojshme për sigurinë bazë të kontinentit, dhe deri dje Evropa kërkonte garanci amerikane, ndërsa sot Amerika kërkon garanci evropiane.
Kjo është përmbysja e madhe që po ndodh në Mynih dhe kjo e bën këtë konferencë ndoshta më të rëndësishmen e dekadës, sepse për herë të parë, kriza e rendit ndërkombëtar nuk po shihet si krizë e jashtme, por si krizë e brendshme e Perëndimit.
Në këtë edicion do të jenë të pranishëm, mes të tjerëve, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe Kancelari gjerman Fredrih Merz krahas dhjetëra liderëve të tjerë evropianë, përfaqësuesve të NATO-s, BE-së dhe vendeve nga Lindja e Mesme dhe Azia, ku në program janë paraparë fjalime për Ukrainën, për arkitekturën e re të sigurisë evropiane, për energjinë si instrument gjeopolitik, për rolin e teknologjisë dhe sigurinë kibernetike, si dhe për tensionet në Indo-Paqësor.
Dhe një detaj që flet shumë për kohën, Ballkani pothuajse nuk ekziston fare në agjendën e sigurisë, sepse për fuqitë e mëdha ai nuk perceptohet më si rrezik, por si hapësirë e ngrirë ku asgjë nuk ndryshon mjaftueshëm shpejt për të prodhuar urgjencë strategjike.
Në fund, kjo pasqyrë që po i vihet Evropës në Mynih lidhet drejtpërdrejt me luftën në Ukrainë me përpjekjet për të krijuar një arkitekturë të re sigurie përmes ideve si një “Bord i Paqes” që do të zëvendësonte logjikën e përhershme të përballjes me logjikën e menaxhimit të konflikteve, me diskutimet e heshtura për tranzicionet ideologjike në vende si Kubë dhe Iran si dhe me tensionin e vazhdueshëm në Indo-Paqësor rreth Taivan sepse të gjitha këto nuk janë më tema të ndara, por janë pjesë e së njëjtës pyetje që po shtrohet në Mynih, a është Perëndimi ende në gjendje të prodhojë rend, apo vetëm të reagojë ndaj çrregullimit.