Connect with us

Bota

Evropa Qendrore në garë me kohën kundër vërshimeve

Vullnetarë dhe punonjës të shërbimeve emergjente punuan gjatë natës ndërmjet të martës dhe të mërkurës për të fortifikuar qytetin polak Vrocllav përballë rrezikut të vërshimeve si rezultat i niveleve të ngritura të ujit, ndërsa Hungaria hapi një digë teksa kryeministri paralajmëroi për afrimin e një “periudhe kritike”.

Përmbytjet më të ashpra që kanë goditur Evropën Qendrore në dy dekadat e fundit kanë shkaktuar dëme të mëdha nga Rumania deri në Poloni, duke përhapur baltë dhe mbetje nëpër vendbanime, duke shkatërruar ura, duke fundosur automjete dhe duke i lënë autoritetet dhe amvisëritë me dëme që do të arrijnë vlerën e miliarda dollarëve.

“Shumëçka ka ndodhur sonte”, tha kryeministri polak, Donald Trusk, gjatë një mbledhjeje për menaxhimin e krizës, në Vrocllav. “Na duhen informata urgjente… nga ato vende ku është ngritur niveli i ujit”.

Qytezat në jug të Vrocllavës, si Levin Bzheski, tashmë janë goditur nga vërshimet, që kanë detyruar banorët të dalin nëpër rrugët e përmbytura apo të kërkojnë vende të sigurta në çatitë e shtëpive apo ndërtesave, raporton Reuters.

Në Hungari, autoritetet hapën një digë në veriperëndim të vendit, për të kanalizuar ujin nga lumi Lajta në një rezervuar emergjent, në përpjekje për të mbrojtur qytetin Mosonmaxharovar.

Në kryeqytetin Budapest, uji i Danubit pritet të arrijë në nivelin e 8.5 metrave apo ta kapërcejë atë, dikur gjatë të premtes apo të shtunës.

“Për shkak të shiut të rrëmbyeshëm dhe përmbytjeve, situata është kritike në mbarë Evropën Qendrore”, tha kryeministri hungarez, Viktor Orban, në një postim në platformën sociale X, të martën.

“Sipas parashikimeve të fundit, periudha kritike për Hungarinë do të nisë nesër [e mërkurë], prandaj po bëhen përgatitje maksimale për mbrojtje nga përmbytjet”.

Disa shtete evropiane u përballën me vërshime vdekjeprurëse gjatë fundjavës, teksa Rumania, Polonia, Austria dhe Çekia raportuan për viktima dhe dëme të mëdha.

Dy ditë pasi shiu i rrëmbyeshëm përmbyti dy qarqe në lindje të Rumanisë, shumë zona mbeten të mbuluara nga uji, ndërsa njerëzit po përballen me vështirësi në llogaritjen e dëmeve.

Advertisement