Aktualitet
Falimentimi i Ujësjellësit, në 4 vjet miliona € borxhe
Ujësjellësi i Durrësit është ujësjellësi i dytë më i madh në Shqipëri pas Tiranës dhe kompania që i shërben qytetit të dytë më të madh në vend me ujë të pijshëm dhe heqje të ujërave të zeza. Sipas të dhënave të bilancit të vitit 2022, ujësjellësi i Durrësit ka 16.2 miliardë lekë borxhe (afërsisht 160 milionë euro) dhe 13.3 miliardë lekë asete (130 milionë euro). Me pak fjalë, tubat, ndërtesat, impiantet, karrigia e drejtorit, lekët në bankë e të tjera si këto, të gjitha bashkë, vlejnë 130 milionë euro. Por kompania ka 30 milionë euro më shumë se sa kaq detyrime për të shlyer.
Pas publikimit të lajmit mbi gjendjen e bilancit, (Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetejeve), deklaroi se situata në Durrës nuk është “faliment”, por riorganizim.
“Ky proces ka konsistuar në agregimin e 61 ish-shoqërive në varësi të bashkive të vendit dhe krijimin e 15 shoqërive të reja, ku secila bashki është sërish aksionere, por tashmë së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, që është aksionerja kryesore me 51%,” thuhej në sqarim. AKUM nuk bëri të ditur në deklaratën e saj se nga do të dalin paratë për të paguar detyrimet.
Ujësjellës Kanalizime Durrës, pati gjatë vitit të kaluar 1.46 miliardë lekë të ardhura dhe 2.48 miliardë lekë shpenzime, me rezultat neto prej mbi 1 miliardë lekë humbje, ose afro 10 milionë euro. Në vitin 2021, kompania pati rreth 535 milionë lekë humbje e më 2020, 256 milionë. Më 2019, humbjet ishin 550 milionë. Kompania shënoi fitime për herë të fundit në vitin 2018.
Por problemi më e rëndë për Durrësin, vjen nga mosmenaxhimi i kompanive dhe lejimi i humbjeve masive në rrjet. Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Ujit, gjatë vitit të kaluar, 77% e ujit të furnizuar në Durrës humbi në rrjet, nga defektet apo nga vjedhjet, ndërsa pjesa tjetër prej vetëm 23% u pagua nga konsumatorët. Me pak fjalë, kompania duhet të ngrejë me pompa nga zona e Fushëkuqes dhe të transportojë për në Durrës një metër kub ujë, për të shitur dhe arkëtuar realisht vetëm 230 litra.
Në vitin 2016, kompania mori një kredi nga Banka Botërore bashkë me asistencën teknike se si mund të zgjidhej situata. Vetëm se që nga viti 2016, humbjet nuk janë ulur, fatura e energjisë elektrike është shtuar dhe kostot e tjera të kompanisë, përfshirë paga për punonjësit që duhet të identifikojnë dhe eliminojnë rrjedhjet apo lidhjet e paligjshme, janë shtuar gjithashtu. Shqipëria është vend shumë i pasur me burime ujore, të vlerësuara në rreth 9,500 metra kub për frymë. Megjithatë, sipas të dhënave të ERRU, 22% e popullsisë nuk shërbehet me ujësjellës publik, ndërsa 56% nuk shërbehet me shërbimin e heqjes së ujërave të zeza.