Aktualitet
Familja e 14 vjeçarit mosbesuese ndaj drejtësisë, kërkon të zbardhë vetë vrasjen e të birit
Familja e Martin Canit ka nisur një hetim paralel me organet e drejtësisë për ngjarjen ku humbi jetën 14-vjeçari. Avokati i familjes Redi Ramaj tregon për Tch se ky hetim ka nisur në përpjekje sipas tij për të shuar konfuzionin mbi hetimin institucional.
“Mendojmë që zbardhja edhe e ngjarjes së ditës së premte mund të hedh dritë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pra kemi të bëjmë përfundimisht me një sherr fëmijësh që ka sjell fatalitet apo kemi të bëjmë me pjesëmarrjen e personave të tjerë që nuk janë bashkëmoshatarë? Të shumtë janë personat që kanë ardhur për ngushëllim e kanë dëshmuar të vërtetat që dinë, por nuk janë pyetur akoma nga organet ligjzbatuese”, tha avokati Redi Ramaj.
Krahas grumbullimit të dëshmive, avokati Ramaj ka nisur që prej 27 nëntorit kërkesat për marrjen e dokumentave shtetërore mbi rastin por dosja e 14-vjeçarit nuk është dorëzuar zyrtarisht ende në duart e tij.
“Ne i kemi paraqitur kërkesat e domosdoshme prokurorisë dhe policisë. Nuk kemi ende ekspertizën mjeko-ligjore. Kemi bërë e një sërë shkresa për institucione të tjera duke nisur nga vetë shkolla për te na informuar për ditën e momentin e ngjarjes, a është zhvilluar i plotë mësimi për klasat e personave të përfshirë në konflikt. Deri sot akoma jemi në terrin e ditëve të para dhe kjo nuk është normale”, tha më tej avokati.
Si autor i ngjarjes është arrestuar 14-vjeçari Mario Përlleshi, por ditët e fundit është aluduar për një autor të dytë, por këto pretendime janë rrëzuar nga Policia, sipas së cilës, ka patur vetëm një autor.