Connect with us

Aktualitet

Familjet e viktimave në aksidente rrugore mund të përfitojnë dëmshpërblimin e bazuar në ligj pa nevojë ndërmjetësish

Një punëtor pastrimi humbi jetën mbrëmë në një aksident rrugor në Peqin, duke lënë
pas familjarët e tij me vështirësi emocionale dhe financiare. Humbja e tij do të thotë
mungesë e menjëhershme e kontributit financiar në familje. Pakkush e di, por
legjislacioni shqiptar, përmes Ligjit Nr. 32/2021 dhe rregullores së miratuar në të njëjtin
vit, garanton të drejtën e familjarëve për dëmshpërblim financiar, pavarësisht nga
kompania e sigurimit. Familjarët mund të kërkojnë kompensim pa nevojën e avokatëve,
duke njohur të drejtat e tyre ligjore të përcaktuara qartë.

Si përfitojnë dhe çfarë përfitojnë familjarët e viktimës?

Në rastin konkret, por edhe në çdo rast që familjet humbin një pjesëtar në aksident
rrugor, trashëgimtarët ligjorë të punëtorit të ndjerë kanë të drejtë të paraqesin kërkesë
dëmshpërblimi pranë shoqërisë së sigurimit të mjetit shkaktar brenda 2 viteve nga
aksidenti. Kërkesa mund të dorëzohet me shkrim ose elektronikisht. Shoqëria e
sigurimit është e detyruar të regjistrojë kërkesën, t’u japë familjarëve numrin e
regjistrimit si dëshmi, të sigurojë formularin zyrtar dhe listën e dokumenteve të
nevojshme.

Dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e kërkesës për dëmshpërblim

Dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e kërkesës për dëmshmpërblim me pasojë
vdekje përfshin: kërkesa zyrtare për dëmshpërblim, polica e sigurimit të mjetit shkaktar
ose konfirmimi i mbulimit, llogaria bankare e kërkuesve të përfitimit, procesverbali
policor ose dokumentacioni penal që përcakton fajësinë, certifikata e vdekjes, certifikata
familjare dhe vërtetimi i të ardhurave neto personale të viktimës për tre vitet e fundit.
Si përllogaritet dëmshpërblimi?
Dëmshpërblimi për vdekjen nga aksidenti rrugor llogaritet sipas një formule ligjore, e
përcaktuar qartë, fikse, pa hapësira interpretimi, që merr parasysh moshën, situatën
familjare, të ardhurat vjetore dhe dëmin moral/ekzistencial për të afërmit e rrethit të
parë. Përveç shumës së përllogaritur, shtohet edhe një shumë fikse prej 300,000 lekësh
për shpenzimet e varrimit. Në këtë përllogaritje, sa më e madhe familja e ngushtë, aq
më domethënëse shuma.

Afatet për trajtimin e kërkesës

Shoqëria e sigurimit është e detyruar të shqyrtojë kërkesën për dëme ndaj personit
brenda 90 ditëve kalendarike nga data e depozitimit dhe të njoftojë familjen për masën
e dëmshpërblimit, në rast se kërkesa pranohet, po ashtu edhe për arsyet ligjore të
refuzimit, në rast se kërkesa hidhet poshtë.

Një sistem që garanton të drejtat e të dëmtuarve

Rasti tragjik në Peqin është një kujtesë e dhimbshme për pasojat që sjell pakujdesia në
rrugë, por gjithashtu nxjerr në pah një aspekt të rëndësishëm të mbrojtjes ligjore të
qytetarëve përmes sistemit të sigurimit të detyrueshëm.
Familjarët e viktimës nuk kanë vetëm të drejtën morale për drejtësi, por edhe një të
drejtë ligjore për përfitim financiar, që ndihmon në lehtësimin e barrës që sjell humbja e
një të afërmi në moshë pune.
Për këtë nuk kanë nevojë as për zyrë ligjore, avokat apo palë të treta që ua ndërlikojnë
procesin: ky artikull sensibilizues do të mjaftonte. Drejtojuni kompanive të sigurimit të
mjetit shkaktar, ose drejtojuni Byrosë Shqiptare të Sigurimit. Në çdo rast është një e
drejta juaj.

Advertisement