Connect with us

Politike

Fatmir Mediu mërzitet me Berishën, për shkak të Ilir Metës

Pas bashkimit të partisë, Sali Berishës i duhet të bëjë bashkë aleatët për zgjedhjet  e pranverës. Bisedimet nuk parashikohen të lehta pasi lideri i opozitës  duhet te ruaje balancat mes aleatëve te rinj dhe te vjetër por edhe demokratëve që shpresojnë një vend te sigurt në listën e partisë.

“Ilir Meta nuk ka nevojë për shpërblim, meta është i konsoliduar, partia e tretë më e madhe e vendit, cili do të jetë koalicioni, por jo shpërblimi do të shqyrtohet në kohërat që vijnë”, tha Berisha.

Republikani Fatmir Mediu, aleat historik i demokratëve kërkon që në negociata te vlerësohem pesha elektorale e partive  që do rreshtohen në çadrën e një koalicioni.

“Çdo forcë politike që bëhet pjesë e një liste të përbashkët, duhet ta shikojë si pjesë e një kontributi për të shtuar numrin e deputeteve të opozitës për të fituar zgjedhjet.

Nëse pastaj shkohet në mënyre preferenciale si, ky është i imi, ky i yti, unë jam deputet ti jo, atëherë po shihet për të gjetur vend pune, jo për të bërë atë që duhet për qytetarët shqiptarë”, tha Mediu.

Qëndrimet e  demokratëve ndaj ndërkombëtarëve dhe drejtësisë kanë larguar aleatin tradicional, Dashamir Shehi, i cili ka vendosur të dalë i vetëm në zgjedhje.

“Nuk mund të bëjë e djathta shqiptare armiq miqtë më të mirë si SHBA, Europën, Britaninë. Këto kolegët tonë opozitarë i thonë bande kriminale PAK-ut dhe shkojnë dorëzojnë letra ndaj ne kemi vendosur të hyjmë më vete, jo Noka, por edhe sikur Berisha të na thotë”, tha Shehi.

Advertisement