LAJMI I FUNDIT
Fatos Lubonja merr në mbrojtje Berishën: Dhëndri ka ngrënë kumbulla prapa shpinës së tij
Analisti Fatos Lubonja u shpreh sot se vendimet e GJKKO-së për Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin janë selektive dhe të motivuara politikisht. Gjatë një interviste në News 24 ai thotë se ka hipoteza që SPAK është motivuar politikisht.
Historia është politike apo ligjore?
Është politike, por duhet shtjelluar. Ne që e kemi jetuar Shqipërinë, e dimë që në 95% të rasteve të atyre që janë pasuar në Shqipëri, kanë pasur lidhje me të gjitha pushtetet. Shqipëria nuk ka ndërtuar dot një shtet të së drejtës, por ka ndërtuar shtetin e atij që merr pushtetin. Është akuzuar Berisha edhe për gjëra të tjera. Ne e dimë si janë bërë privatizimet këtu. Jo vetëm dhëndri, por edhe shumë të tjerë. Jo vetëm në kohën e Berishës, por edhe në kohën e sotme. Bëhen ligje që të pasurohet dikush. Në një nivel të parë, një pjesë e jona thonë “mirë ja bënë se kështu janë pasuruar këta”. Ky është një gjykim emocional. Nëse do bëjmë një gjykim politik, them se duhet të shtrojmë pyetjen: a duhet të gëzohemi ne tani që drejtësia po funksionon edhe kundër peshqve të mëdhenj, apo duhet të shqetësohemi se kemi një drejtësi të kapur dhe që po përdoret kundër kundërshtarëve politikë? Unë shikoj selektivitetin mbi të gjitha. Preket vetëm ky rast, preket familja e Berishës dhe nuk preken ca oligarkë që janë bërë me Ramën sot dhe janë pasuruar në kohën e Berishës.
Ishte kjo drejtësi që futi në burg disa ministra të Ramës…
Le të bëjmë krahasimin. Edhe në rastet që thoni ju drejtësia nuk ka shkuar deri atje ku duhet të shkonte.
Duhet të shkonte te Rama?
Po sepse ai i ka bërë ligjet, si ai i inceneratorëve. Po sikur Jamarbëri të ketë ngrënë kumbulla mbrapa shpinës së Berishës, sicc thotë Rama? Për mua selektiviteti është sheshit.
SPAK është përdorur?
As nuk diskutohet. Ne kemi ndërtuar një regjim ku vetëm lideri është i paprekshëm. Unë mund të ngre hipotezën e një loje shahu “unë jap një oficer për të goditur mbretin”. Këta që janë arrestuar mund të jenë sakrifikuar si oficeri për të shkuar dhe goditur mbretin. Koha do e tregojë sesa SPAK është i drejtë. Unë kam të dhëna dhe prova që SPAK është i instrumentalizuar. Një arsye tjetër është vetë propaganda që bëhet që tani kemi ndërtuar një drejtësi që godet nga të dyja anët. Po këto kullat që po vazhdojnë të ngrihen pse nuk i heton SPAK? Ky sistemi që flasim ne ku një pushtet politik vjedh, a po frenohet me këtë drejtësi? Unë nuk e shikoj këtë. Shikoj që vazhdon zaptimi i tokave. Shikoj edhe rastin Beleri që u arrestua duke u shkelur ligji. Qartazi të gjithë e dinë që kjo u bë sepse aty po grabiten prona. Unë nuk shoh që këta nuk kanë ndonjë frikë për të vijuar për të grabitur.