Connect with us

Aktualitet

Fatura e kripur e tryezës së fundvitit

TIRANË– “Do tu bëj foto dhe do t’ua tregoj kalamajve në telefon,”– kështu u përgjigj një grua nga Durrësi kur u pyet nëse kishte blerë gjelin e detit. Teksa ecte në tregun e gjësë së gjallë, Luljeta tregon se pavarësisht se na ndajnë vetëm pak orë nga mbrëmja e fundvitit, nuk ka blerë asgjë për festat. Kjo pasi ky dimër, të ftohtin e vërtetë e paska rezervuar për tryezën e shumë prej familjeve që nuk u bënë dot ballë rritjes së çmimeve që nisën nga shkurti, kohë kur startoi dhe lufta në Ukrainë.

Tregjet globale u prekën, xhepat e konsumatorëve u rënduan dhe shqiptarët nuk bënë përjashtim. Gjithçka erdhi zinxhir, shtrenjtimi i himeve dhe i misrit solli shtrenjtimin e mishit dhe të produkteve të qumështit.

Dosja.al ju sjell një krahasim mes çmimeve aktuale për produktet që do të shërbejnë për gatimet tradicionale të festës dhe të atyre të paraluftës.

Një gjel deti mesatar peshon 5 kilogramë dhe deri një vit më parë blihej me maksimumi 4500 lekë (900 lekë për kilogram), ndërsa këtë vit një gjel deti me të njëjtën peshë shkon deri në 7000 mijë lekë. Kjo pasi çmimi i tij varion nga 1200-1600 lekë për kilogram.

Nuk ka gjel pa përshesh….

Dhe përsheshi bëhet me miell misri ose gruri (në varësi të zonës e traditës), qepë dhe gjalpë. Gjalpi ka pësuar një rritje mjaft të theksuar dhe aktualisht po shitet me një çmim nga 1500-1600 lekë për kilogram nga 1000-1200 që shitej një vit më parë. Mielli po shitet me 100-110 për kg nga 80-90 lekë për kilogramë që ishte një vit më parë.

Mishi i viçit dhe i qingjit nuk mungojnë në tryezë.

Një kilogram mish viçi që para luftës kushtonte 700 lekë tashmë kushton 1100 lekë, ndërsa një kilogram mish qingji nga shitet me 1300 lekë për kilogramë nga 1000 lekë për kilogram që ishte një vit më parë.

Sallata ruse, një tjetër element që është gjithmonë në tryezën e festave nuk do të mungojë as këtë vit, por do të kushtojë shumë më tepër. Pa menduar që shumë prej shqiptarëve preferojnë ta bëjnë vetë, Dosja.al ju sjell një panoramë të ndryshimit të çmimit të sallatës ruse të blerë në market. Kutia me sasi prej 2 kilogramë, e mjaftueshme për një familje me 4 anëtarë më parë kushtonte vetëm 600 lekë, ndërsa aktualisht kushton 840 lekë.

Bakllavaja

Këtë vit shërbehet e ‘kripur’. Ajo çfarë e bën më të shtrenjtë bakllavanë është gjalpi dhe sheqeri. Me gjithë përbërësit e saj, një tepsi bakllava, mesatariasht për 4 persona, me një peshë 3 kg, do tu kushtojë shqiptarëve 3000 lekë, nga 2300 që kushtonte një vit më parë. Diferenca nga të bërit vetë në të blerit në pastiçeri është +- 500 lekë.

Pijet

Vera e kuqe dhe birra janë kryefjalë e tryezave shqiptare, produkte që variojnë nga marka, por që e kanë ndjerrë gjithashtu rritjen e çmimeve.

Birra e vendit është rritur kryesisht me 30 lekë më shumë, duke u shitur mesatarisht nga 120-140 lekë për birrë. Tetë birra për një familje me 4 anëtarë do të kushtonin 960-1480 lekë.

Në total, për këto elementë kryesorë të festës, fatura shkon në 13566 lekë pa llogaritur frutat dhe pijet e tjera.

Vera e kuqe shitet në treg mesatarisht me 500 lekë për litër dhe një familje do të shpenzojë 1000 lekë për dy litra verë.

Frutat kryesore që shërbehen në tryezën e fundvitit janë mandarinat e portokalli, molla, shegë, ftoj, fiku i thatë dhe rrushi. Sërish, për katër persona frutat, me një sasi mesatare do të mund të përmblidheshin në një faturë prej 4 mijë lekësh të reja.

Si përfundim, fatura e një familjeje me 4 persona për këtë Vit të Ri do të ketë mesatarisht një vlerë prej 22320 lekësh.

Gjeli i detit- deri në 7000 lekë
Bakllavaja- deri në 3000 lekë
Përsheshi- deri në 2000 lekë
Sallata ruse- deri në 840 lekë
Mishi (viçi ose qingji)- deri në 3000 lekë
Birra- deri në 1480 lekë
Verë- deri në 1000 lekë
Fruta- deri në 4000 lekë
Totali- deri në 22320 lekë

Ndërsa një vit më parë do të kenë kushtuar mesatarisht 15780 lekë

Gjeli i detit- deri në 4500 lekë
Bakllavaja- deri në 2300 lekë
Përsheshi- deri në 1500 lekë
Sallata ruse- deri në 600 lekë
Mishi (viçi ose qingji)- deri në 2000 lekë
Birra- deri në 880 lekë
Verë- deri në 1000 lekë
Fruta- deri në 3000 lekë
Totali- deri në 15780 lekë

Pra, fatura ka pësuar një rritje prej 6 mijë e 540 lekësh, mesatarisht.

*Shënim: Shifrat janë marrë mesatarsisht, duke parë se sa shiten në marketet e vendit, aty ku dhe blejnë shumë prej shqiptarëve si dhe janë llogaritur porcione mesatare, pa ‘lukse’, ‘bollëkun’ e pa pritjet e miqve (qoka)!

Advertisement