Kronike
Favoret për Suel Çelën/ Zbardhen bisedat, 35 mijë euro për t’i kthyer pronat e bllokuara nga OFL

I konsideruar sot si drejtuesi i një prej organizatave kriminale në Elbasan, Suel Çelës në vitin 2020 nuk iu desh shumë që të kërkonte për hapësira në sistemin e drejtësisë që të shpëtonte pasurinë e tij.
Platforma Sky tregoi se ish oficerja Eriona Daupaj, e cila është marrë e pandehur për dosjen “Toyota Yaris”, i kërkonte vetë lidhjet me të, nëpërmjet avokatit Radovan Çela.
Eriona Daupaj: Kush ka miqësi me Suel Çelën?
Eriona Daupaj: Kam OFL-në e tij.
Radovan Çela: Ç’a të duhet? I kam thënë Enedit unë për atë.
Eriona Daupaj: Enedi nuk është ndjerë.
Eriona Daupaj: I ka ardhë OFL-ja e të atit. Dy makina i kemi sekuestruar. Ia kemi kthyer babin dy herë.
Radovan Çela. Dhe Enedi i shtyu.
Eriona Daupaj: E kanë sjellë përsëri për plotësim veprimesh.
Radovan Çela: Tani çfarë duhet të bëjmë që t’ia lirojmë?
Eriona Daupaj: Mua sot ma përmendi për herë të parë emrin tënd që e njeh Suelin.
Eriona Daupaj: Po. E pyeta nëse i kishte thënë gjë njeri për Suel Çelën, që nëse nuk kemi gjë në vijë ta çojmë për sekuestro. Se Policia e ka kthyer dy herë. Më tha që i kishe thënë ti. Por me këtë avokatin, Sokol Hazizi, më tha që nuk kishte muhabet fare. I thashë të futem, nsë s’e ka futur njeri, se po i bëjmë nder kot.
Radovan Çela: Shihe mirë se e gjej unë mundësinë për gjithçka. Edhe Enedit i kam thënë bëjë dhe më thuaj.
Eriona Daupaj: Po më tha mua të futem. Janë pronat e të atij. Po ti i ke thënë vetëm për makinat. Ndoshta ai ka menduar se ke folur me mua.
Radovan Çela: Nuk e dija, pa do të thosha ty.
Eriona Daupaj: Çfarë të kesh me Enedin më thuaj mua. Se tek Edvini nuk ka shumë besim ai, ka frikë se i futet në pjesë.
Radovan Çela: Fol nëse dhe më thuaj, e bëjmë bashkë.
Eriona Daupaj: Të shoh materialin unë dhe flasim.
Radovan Çela: E zgjidhim bashkë dhe Sokoli nuk do marrë vesh gjë farë.
Eriona Daupaj: Iu kam lënë detyrë të bëjnë akt ekspertimi. Ashtu duhet, të mos dijë gjë njeri fare.
Sipas SPAK, nga bisedat e zhvilluara në Sky, duke i vlerësuar edhe në raport me aktet e procedimit pasuror ndaj Suel Çelës, krijohet dyshimi i arsyeshëm se Eriona Daupaj ka kërkuar përfitime të parregullta për të ndikuar në vendimmarrjen e prokurorit të çështjes. Nga ana tjetër, Radovan Çela ka pranuar se do të ndërmjetësojë në këtë rast në këmbim për marrjen e përfitimeve të parregullta monetare. Duke vlerësuar mënyrën e komunikimit mes tyre dhe sjelljen e tyre në raste të ngjashme, sipas SPAK flitet për 35 mijë euro, shumë kjo që është kërkuar për të ndikuar te prokurori i çështjes, për të mos vendosur masë sekuestro për pasuritë e Suel Çelës dhe familjarëve të tij. Mënyra e favorizimit do të ishte duke kthyer serish materialin në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, me qëllim që kërkesa për sekuestrimin të nxirrej jashtë afatit të veprimit të aktit normativ.
Në bisedat që ata kanë zhvilluar me njëri-tjetrin përmendin prokurorin e çështjes Ened Nakuçi, që i referohen me emrin “Edi”, që sipas Radovan Çelës ka qenë bashkë me të në momentin që bien dakord për 35 mijë euro. Madje përmendin edhe faktin që kanë biseduar edhe me gjyqtaren e çështjes. Por sipas SPAK, këto biseda janë të përcjella në mënyrë të njëanshme dhe nuk konfirmohen me prova të tjera. Prandaj për vërtetësinë e tyre nevojiten veprime të mëtejshme hetimore.

