Connect with us

Aktualitet

Festivali Ndërkombëtar i Karnavalit, Korça mirëpret këtë vit edicionin e 18-të

Korça është gati të shpërthejë në ngjyra dhe atmosferë festive. Më 7 qershor, qyteti do të mirëpresë edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe turistike të vitit, që tashmë është kthyer në traditë.

Ky event do të shënojë dhe hapjen zyrtare të sezonit turistik veror. Zamira Kita, drejtore e Qendrës së Artit dhe Kulturës në Korçë, thotë se përgatitjet janë drejt fundit dhe ky edicion do të sjellë shumë risi.

Jemi mbledhur të gjithë së bashku për të krijuar kostume të reja dhe në këtë moment do gjeja rastin që të falënderoja një nga artistet më të mira tonat Ilda Pepin, e cila po punon me shumë pasion si çdo vit por këtë herë do të krijoj një grup me veshje shumë specifike dhe më besoni se është një punë kolosale, një punë shumë e madhe që prej muajsh Ilda dhe të tjerë që e ndihmojnë atë po punojnë”, u shpreh Zamira Kita, Drejtoreshë e Qendrës së Artit dhe Kulturës në Korçë.

Parada e madhe e karnavaleve do të mbledhë në Korçë trupa artistike vendase dhe të huaja, të cilat do të performojnë me koreografi të veçanta.

Grupet që ne do të kemi do të jenë ndryshe nga herët e tjera, do të kemi për herë të parë Poloninë në Karnavalet e Korcës, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, kemi grupin e Bullgarisë që vjen me 30 persona dhe që kanë veshjen e tyre karakteristike që nuk mungojnë asnjëherë në karnavale”, tha Kita.

Pas paradës, festa do të vazhdojë me Karnaval Party, një mbrëmje me muzikë, performanca live dhe DJ, që do të sjellë ritme, dritë dhe argëtim për të gjithë ata që duan të festojnë deri vonë.

Advertisement