Shkrime
Fillon izolimi politik i Serbisë – Nga Vladimir Medovic
Është e qartë se qeveria e Serbisë ka vlerësuar se hyrja e Kosovës në Këshillin e Evropës pa themelimin paraprak të Unionit të Komunave Serbe paraqet më pak dëm politik në krahasim me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Dhe me të drejtë lind pyetja PSE?
Në mbledhjen e 28 marsit të këtij viti, u miratua një projekt-mendim që mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me shumicë prej dy të tretave të anëtarëve të pranishëm.
Drafti i opinionit do të diskutohet nga Kuvendi Parlamentar në seancën plenare të planifikuar për më 16 prill. Në rast se Kuvendi Parlamentar miraton opinion pozitiv për anëtarësimin e Kosovës me shumicë prej dy të tretave, vendimin përfundimtar do ta marrë Komiteti i Ministrave, i cili seancën duhet ta mbajë gjatë muajit maj.
Ashtu siç pritej, miratimi i draft opinionit në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci hasi në reagime të furishme nga autoritetet serbe. Kishte gjithçka, që nga kundërshtimet në parim se një vendim i tillë është i turpshëm dhe skandaloz, se përfaqëson fundin e së drejtës ndërkombëtare, se shkatërron të gjitha parimet mbi të cilat mbështetet Këshilli i Evropës, dhe deri te akuzat personale kundër raportueses Dora Bakoyani dhe si pasojë dyshimet për tradhti nga Greqia ndaj Serbisë.
Presidenti Vuçiç madje paralajmëroi mundësinë e daljes së Serbisë nga Këshilli i Evropës nëse Kosova pranohet në këtë organizatë. Të ballafaquar me një tjetër disfatë diplomatike, autoritetet serbe u përpoqën që përgjegjësinë për dështimet e tyre t’ia bartin komunitetit ndërkombëtar, pra Perëndimit.
Lidhur me këtë, në fjalimin e tij drejtuar kombit më 29 mars, presidenti Vuçiq deklaroi se Serbia është në një situatë jashtëzakonisht të vështirë politike dhe se pa fajin e saj, po paguan një çmim shumë të lartë për shkak të situatës gjeopolitike.
“Bëhet fjalë për presion të përgjithshëm ndaj Serbisë dhe popullit serb, në radhë të parë për shkak të neutralitetit tonë ushtarak, qëndrimit ndaj konfliktit në Ukrainë dhe qëndrimit të Serbisë që dënon sulmin ndaj një vendi sovran, por nuk i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë” – deklaroi Vuçiç. Eshtë fakt se pas Banjskës gjithçka ndryshoi.
Është i qartë synimi i shteteve më të mëdha evropiane për ta futur Kosovën sa më shpejt në institucionet evropiane, në këtë rast në Këshillin e Evropës, dhe kështu të parandalojnë mundësinë e konflikteve të reja. Le të supozojmë për një moment se gjithçka tha presidenti serb është e vërtetë. Por nëse e gjithë kjo dihej paraprakisht, lind pyetja, pse Serbia është kaq kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë dhe ia vështirëson vetes situatën në lidhje me negociatat me Kosovën?
Kujtojmë se presidenti Vuçiç ka deklaruar në disa raste se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë për aq kohë sa mundet dhe për aq kohë sa ajo të durojë, pra derisa dëmi të jetë shumë i madh. Është e qartë se autoritetet serbe në këtë rast kanë vlerësuar se hyrja e Kosovës në Këshillin e Evropës pa themelimin paraprak të asociacionit paraqet më pak dëm politik në krahasim me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
A nuk duhet që qeveria serbe të përfaqësojë në radhë të parë interesat e veta kombëtare?
Sidomos në rrethanat kur serbët nga Kosova nuk kanë ku të mbështeten tek kush tjetër përveç Serbisë për të ushtruar të drejtat e tyre. Në rrethana të tilla, a nuk është themelimi i asociacionit interes jetik kombëtar i Serbisë? Çfarë është kaq liridashëse në refuzimin e vendosjes së sanksioneve ndaj një vendi që ka kryer agresion ushtarak kundër një vendi tjetër, duke shkelur të gjitha rregullat e së drejtës ndërkombëtare? Në fund të fundit, pse Serbia po e vështirëson edhe më shumë pozicionin e saj duke vazhduar të mbajë lidhje të ngushta politike dhe të sigurisë me Rusinë, duke shkaktuar kështu dyshime për drejtimin strategjik që po lëviz vendi?
Dhe cili ishte qëllimi i vizitës demonstrative të Ministrit të Punëve të Jashtme Ivica Daçiç në Moskë vetëm një javë para votimit në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci? Këto janë pyetje të cilave presidenti Vuçiç nuk i është përgjigjur…………….
Një problem shtesë është se vetë Serbia po fillon t’i ngjajë Rusisë gjithnjë e më shumë kur bëhet fjalë për qëndrimin ndaj demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Sigurisht, ky ka qenë një nga faktorët që ka ndikuar që Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci të miratojë një opinion pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me shumicë bindëse votash.
Parregullsitë që vëzhgoi misioni vëzhgues ndërkombëtar gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit të vitit të kaluar në Serbi, e vunë seriozisht në pikëpyetje natyrën demokratike të qeverisë në Beograd. Në këtë vlerësim kanë kontribuar edhe reagimet krejtësisht të papërshtatshme të autoriteteve serbe ndaj raportit preliminar të misionit vëzhgues.
Fyerjet e Presidentit dhe Kryeministres Brnabiç ndaj anëtarëve të misionit vëzhgues nga Parlamenti Evropian dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës u perceptuan si një skandal politik i dorës së parë. Le të kujtojmë talljet dhe indiferencën me të cilën Beogradi zyrtar përshëndeti rezolutën e Parlamentit Evropian për parregullsitë zgjedhore në Serbi. E gjithë kjo rezultoi me izolimin politik të Serbisë dhe humbjen e çdo ndikimi në vendimmarrje në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci.
Epilogu është se përfaqësuesit e të gjitha grupeve politike në Asamblenë Parlamentare votuan për raportin e Dora Bakojanis, e cila edhe vetë i përket Partisë Popullore Evropiane, grup në të cilin bën pjesë edhe Partia Progresive Serbe. Ajo që është edhe më e pafavorshme për Serbinë, në mesin e tyre ishin deputetë të disa vendeve që nuk e njohën pavarësinë e Kosovës.
Një rezultat i ngjashëm mund të pritet edhe gjatë votimit në Asamblenë Parlamentare të planifikuar për 16 prill. Qeveria e Serbisë, para seancës vendimtare të Komitetit të Ministrave të planifikuar për më 11 maj, me kërkesë të presidentit Vuçiq, ka vendosur të formojë një ekip të posaçëm që duhet të pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Presidenti njoftoi edhe ndryshimin e strategjisë në kundërshtim me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Fokusi i argumentimit duhet të jetë në obligimin e papërmbushur të Kosovës për të themeluar Bashkësinë e Komunave Serbe, dhe jo në çështjen e statusit të shtetësisë. Një strategji e tillë ka njëfarë kuptimi duke pasur parasysh se në nenin 4 të Marrëveshjes Bruksel-Ohër, Serbia ka pranuar obligimin që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Në anën tjetër, themelimi i asociacionit është obligim i Kosovës që nga Marrëveshja e parë e Brukselit e vitit 2013, dhe ky obligim është karakterizuar si prioritet me Marrëveshjen Bruksel-Ohër të vitit 2023. Për këtë arsye kundërshtimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës për shkak të detyrimit të paplotësuar për themelimin e asociacionit, nuk mund të vlerësohej si shkelje e Marrëveshjes Bruksel-Ohër.
Ndërkohë, ekipi i sapoformuar i Qeverisë së Serbisë ka një detyrë të vështirë për të bindur disa nga shtetet anëtare që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që të ndryshojnë rendin e gjërave dhe të kushtëzojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ndoshta shumë e vështirë për një vend të dominuar nga retorika antiperëndimore e kultivuar me kujdes nga përfaqësuesit më të lartë të qeverisë dhe që po largohet gjithnjë e më shumë nga vlerat themelore demokratike mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.