Shkrime
Fitojnë apo humbasin: Kurti dhe Vuçiq i duhen njëri-tjetrit?!
Nga Ben Andoni- Ditën që Kosova e shpalli pavarësinë e saj, Beogradi gati u dogj nga njerëzit, përfaqësuesi i të cilëve tashmë është gati nënshkrimit të planit franko-gjerman të implementimit. Sot, presidenti Vuçiq qetësonte bashkëqytetarët e tij se Serbia po merr më të mirën e mundshme dhe se Serbia nuk ka lëshuar pe. Gati, në të njëjtën gjatësi vale, në Prishtinë, kryeministri Kurti është shprehur se “… unë me përgjegjësi të plotë ju them se nuk jemi duke bërë as gabime as devijime. Ata ishin plotësisht të vetëdijshëm për kushtet dhe parimet e mija dhe natyrisht që problemet më të mëdha që i kam në procesin e bisedimeve janë trashëgimia që ma kanë lënë qeveritë e mëhershme dhe unë krejt çka di e mundem e bëjë më të mirën”. Por narrativa për Asosacionin ka rënë bashkë me vijat e kuqe.
Të dy njerëzit e momentit të diplomacisë ballkanike dhe më gjerë kanë marrë frymë të qetë, pas orëve të lodhshme në dukje të Brukselit, paçka se është arritur dakordësimi i plotë dhe publikut po i shitet sikur do të kërkohet kohë për modalitete dhe gjëra shtesë. Madje, Kurti ka thënë se ishte gati për firmë, teksa faji qëndronte mbi palën serbe dhe anasjelltas, Vuçiq, ia ka përcjellë fajin kryeministrit kosovar. Të dy nuk e kanë bërë publike planin franko-gjerman, duke e vendosur peshën mbi konfidencialitetin e bisedimeve, paçka se kanë muaj që e kanë mbi tryezë, përveç orëve të fundit kur është botuar dokumenti i BE-së. Në këto javë, të dy i janë drejtuar publikut se i presin ditë të vështira dhe kanë gjetur mundësi të kundërshtojnë e akuzojnë opozitat respektive, duke u munduar të ruajnë sa më shumë kreditet e tyre, paçka devijimeve të mëdha nga parimet dhe premtimet elektorale.
A mund të merrej nga Kosova më shumë nga Serbia? Për momentin aspak për të mos thënë është marrë mjaftueshëm. Vuçiq është shprehur se ua ka lexuar njerëzve të tij hapur në parlament planin dhe kjo është më e mira e mundshme, para se t’ia behin sanksionet. A mund të merrej nga Serbia më shumë nga Kosova? Kaq besohet se është e tepërt dhe e plotë për ta. Të paktën për momentin. Kurti është munduar të luajë deri më tani me pjesën konfidenciale të planit për të respektuar institucionet. Tashmë, të dy do u duhet që të mbajnë tandemin gjallë dhe nuk është çudi, që në margjinat e këtij viti të përfundojnë me ndonjë çmim të madh ndërkombëtar. Ish-presidenti Tadiq sot, e ka shprehur për “Danas” sensin si e sheh, opozita e sotme në Serbi, të gjithë këtë proces. Pyetur se çfarë merr Serbia nga kjo lloj marrëveshjeje, Tadiq u përgjigj se:“Fatkeqësisht nëse një marrëveshje e tillë arrin e nënshkruhet dhe zbatohet, nuk do të kemi një të ardhme donacionesh dhe problemesh të zgjidhura, por një të ardhme frustrimi kombëtar dhe rreziqesh edhe më të mëdha për shpërthime konfliktesh”. Kurse në Kosovë, veç Haradinajt që e ka mbështetur planin franko-gjerman, liderët e tjerë e refuzuan duke e akuzuar qeverinë Kurti se e ka degraduar procesin, meqenëse marrëveshja nuk e ka “njohjen në qendër”, duke iu referuar togfjalëshit aq të përdorur prej vetë Kurtit.
Duket se me marrëveshjen që tashmë pret vetëm nënshkrimin, fitoren më të madhe e ka tandemi Vuçiq- Kurti, që në ditët në vazhdimësi, nuk duhet të habitemi, që do kenë marrëdhënie shumë më të afërt, diktuar nga momentum-i historik, por edhe nga nevoja tashmë për njëri-tjetrin.