Politike
Fitorja e Belerit, Celibashi: Çështja juridike s’ka lidhje me zgjedhjet
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka deklaruar se kryebashkiaku i Himarës është Fredi Beleri. Në një konferencë me gazetarët, Celibashi tha se nëse nuk do të ketë kontestime, ai do të jetë i mandatuari për kryebashkiak. Situata juridike e Belerit, sipas Celibashit, nuk ka lidhje me zgjedhjet.
“Ai është kandidat fitues, nëse nuk do të ketë kontestime dhe do të konfirmohet ky rezultat që është shpallur deri tani, ai është zgjedhur i mandatuar për të qenë kryetar i bashkisë. Situata e tij juridiko penale është një çështje që nuk ka të bëjë me procesin zgjedhor, të paktën në momentin që jemi duke folur. Më pas do të shohim nëse do të kemi zhvillime të reja,”- tha Celibashi ndër të tjera.
Fredi Beleri u shpall fitues në Bashkinë e Himarës. Me vetëm 19 vota para Fredi Bleri ka arritur që të fitojë kundrejt Jorgo Goros. Fredi Beleri ka fituar 3837 vota në total, kundrejt 3818 vota që ka fituar Jorgo Goro. Vetë Beleri reagoi nga burgu ku ndodhet dhe akuzohet për shitblerje votash. Ai e ka konsideruar një fitore të demokracisë dhe u shpreh mirënjohës për të gjithë ata që e kanë votuar.