Shkrime
Fjalimet e Berishës nga një kasetë e vjetër: po ajo zemëratë dhe po ajo bindje e hekurt se faji është gjithmonë i tjetrit
Në vitin 2029, Shqipëria do të jetë vendi i vetëm në Evropë ku opozita e shpresës do të ketë si simbol një burrë 85-vjeçar. Po, e lexuat mirë: 85. Në një kohë kur Edi Rama eksperimenton me inteligjencën artificiale, demokratët luajnë fatin e tyre me kujtesën artificiale, duke u përpjekur të kujtojnë vitet kur Sali Berisha ishte sinonim i fitores dhe jo i dështimit. Me 11 maj nuk funksionoi. Me 9 nëntor, as aq më pak. Por, siç duket, për disa demokratë, shpresa vdes e fundit, menjëherë pas logjikës.
Pas dështimeve radhazi, njeriu që dikur betohej për “rilindjen e PD-së” tani është kthyer në muzeun e vet. Ai ecën në korridoret e politikës shqiptare si një eksponat historik që flet, ulëret dhe ende jep urdhra. Ironikisht, çdo humbje e re po e forcon, jo si lider, por si monument. A mund të kesh opozitë moderne me një figurë që lufton më shumë për të rikthyer vitet ’90 sesa për të ndërtuar vitet 2030? Sigurisht që po. Në Shqipëri mundesh gjithçka, përveçse të heqësh dorë nga e shkuara.
Në kampin demokrat, duket se plani është i qartë: nëse nuk mund t’i fitosh zgjedhjet, të paktën fito nostalgjinë. Fjalimet e Berishës ngjajnë si ritransmetime nga një kasetë e vjetër: po ato shprehje, po ajo zemëratë dhe po ajo bindje e hekurt se faji është gjithmonë “i tjetrit”. Ndërkohë, rinia demokrate, ajo që dikur kërkonte “ndryshim”, tashmë është kthyer në publik pasiv që duartroket nga zakoni, si një audiencë e mbetur në sallë vetëm sepse s’ka kush ta fikë dritën.
Nëse PD-ja vazhdon në këtë rrugë, zgjedhjet e ardhshme parlamentare do jenë më shumë një përvjetor sesa një garë. Me Berishën 85 vjeç në krye, fushata mund të ketë moton “Për një të ardhme që s’e mban më mend askush”. Dhe për t’i dhënë një prekje moderne, ndoshta do ketë edhe “live” në Facebook, ku komentet do jenë një përzierje nostalgjie dhe keqardhjeje: “Zoti e ruajtë Doktorin, po s’na ruan dot ai më neve.”
Në çdo vend tjetër, një humbje e dyfishtë do të sillte dorëheqje, reflektim, ndoshta dhe ringritje. Por në Shqipëri, logjika funksionon mbrapsht: sa më shumë humb, aq më shumë i bindur je se po të pengon “sistemi”. Dhe sistemi, për ironi, është krijuar pjesërisht nga vetë Berisha. Është si të ankohesh për zhurmën që bën frigoriferi, ndërkohë që e ke shpikur vetë.
Në fund të fundit, ndoshta demokratët nuk kanë më nevojë për liderë, por për arkeologë. Sepse ajo që quhet “opozitë” sot, duket më shumë si një gërmim sentimental në kujtimet e një kohe kur PD-ja fitonte. Në 2029, kur Berisha të dalë sërish në tribunë për të shpallur “fitoren morale”, ndoshta dikush duhet t’i kujtojë se është kthyer në humbës kronik. Ironia më e madhe e tranzicionit tonë të pafundshëm është e ardhmja që nuk vjen kurrë, sepse është gjithmonë e zënë nga e kaluara.