Connect with us

Kosova

Florian Bieber: Pas Banjskës çështja e dialogut është qesharake

“Çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në rrethanat e përshkallëzimit të dhunës që rezultoi me disa vdekje tani tingëllon qesharake dhe është e vështirë të imagjinohet se do t’i kthehemi asaj” – Kështu u shpreh Florian Bieber, ekspert për Ballkanin dhe profesor në universitetin e Gracit.

Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Beta, Bieber tha se është e pamundur të vazhdosh dialogun nëse ke një ngjarje që interpretohet në mënyra diametralisht të kundërta: njëra palë shpall ditë zie për ata që sulmuan policët dhe pala tjetër këtë e interpreton si sulm ndaj Kosovës.

“Në këtë kuadër, është vështirë të kesh ndonjë besim te pala tjetër dhe ta kthesh atë besim, do të jetë shumë e vështirë, madje besoj, pothuajse e pamundur ta ndërtosh këtë besim te pala tjetër dhe të ecësh në drejtimin e duhur”, ka thënë Bieber.

Ai gjithashtu ka thënë se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe tashmë ka vdekur, sepse është e vështirë të imagjinohet se pala kosovare do të pranonte të jepte një lloj autoriteti në rrethana të tilla sigurie.

“Kurti është shumë kokëfortë dhe tani ka edhe më pak motivim sepse doli se Serbia nuk është e interesuar për normalizim dhe ulje të tensioneve. Kjo më pas pengon çdo hapësirë ​​për kompromis dhe për një lloj marrëdhënie paqësore”, ka thënë Bieber dhe ka vleresuar se është e pamundur që Serbia të mos e dinte se çfarë po përgatitej në Banjskë, veçanërisht në dritën e ndikimit të saj në veri të Kosovës përmes shërbimeve të sigurisë.

“Pyetja është se çfarë është shteti dhe pyetja është nëse presidenti Vucic e kontrollon shtetin, a ka ditur apo nuk e ka ditur, cila pjesë e shtetit ka ditur për këtë, por nuk mund të besoj se askush në Serbi, në kuptimin e strukturës shtetërore, nuk ka ditur për këtë”, ka thënë Bieber.

Advertisement