Në një operacion të zhvilluar në fshatin Junake të komunës së Zveçanit, Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë nga Policia Kufitare ka zbuluar një arsenal armësh të fshehura brenda një gypi metalik në pyll.

Zëvendësdrejtori për rajonin e veriut në Policinë e Kosovës, Veton Elshani, ka konfirmuar rastin, duke bërë me dije se janë gjetur një pushkë gjysmëautomatike, dy pushkë për gjueti si dhe municion për to.

Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë njësitë përkatëse, përfshirë Hetimet Rajonale dhe ekipin për Asgjësimin e Mjeteve Eksplozive (EOD), të cilët kanë sekuestruar armët e gjetura.

Sipas Elshanit, hetimet janë ende në zhvillim dhe deri tani nuk është ndaluar asnjë person në lidhje me këtë rast.